Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është ndaluar në Krujë për fushatë elektorale pasditen e kësaj të shtune, ku gjatë takimit me qytetarët, u ka kërkuar atyre votën për zgjedhjet e 25 Prillit. Në fjalën e tij, Rama u është drejtuar edhe votuesve demokratë të Krujës, për të cilët tha se mjafton të votojnë Partinë Socialiste për të vijuar punët e nisura, edhe pse nuk janë simpatizantë të kësaj force politike.

Në këtë aspekt, Rama e krahasoi veten dhe Lulzim Bashën me “gomarin që transporton drutë”.

“Një pjesë jo e vogël vazhdojnë thonë ne jemi familje tradicionale dhe jemi me Partinë Demokratike. Po pse jeni? Se s’më doni mua? Se s’doni komunistët? E para e punës, komunistin e keni atje në krye dhe ka vënë një kukull atje edhe e drejton me telekomandë. Po kur merr gomarin për dru dhe ngjitu atje lart, e shef nga ngjyra apo merr gomarin që të ngjitet lart?

Është shumë e thjeshtë. Vota nuk është tifozëllëk, jam me këtë apo jam kundër atij. Vota nuk është histori, vota është sot, kush ta bën punën. Mund të imagjinohet kjo garë mes gomarësh që unë qenkam gomar që s’e bëj dot punën edhe e bën Luli? S’më do mua s’ka problem fare, unë nuk kam dalë për të gjetur nuse, e kam gjetur.

S’më do mua, bjeri telekomandës fshije fytyrën time. Po punën kush do ta bëjë? Krujën kush do ta bëjë që fëmijët e tu o demokrat të rriten këtu dhe ta kenë këtu të ardhmen e vetë? Taksën zero kush ta vuri ty?

Jam bërë si qentë e gjahut që e ndjej se çfarë ka pylli brenda, se pashë një aty te pazari që rrinte më shifte mua. Si mund ta bësh që të shkosh të votosh me këmbët e tua meqë e do gomarin blu edhe pastaj të vijë taksa e sheshtë edhe ta hash më keq se ky këtu. Ti më i vogli ta hash më keq se ai i madhi. Pse? Ti e ke zero taksën”, tha ndër të tjera kryesocialisti Edi Rama.