Këshilli i Ministrave mori sot vendimin për dhënie ndhme financiare prej 1 milionë lekësh, familjes së “Dëshmorit të Atdheut”, Arjan Sala.

Në vendimin e qeverisë, që është botuar në Fletoren Zyrtare, thuhet se Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e ndihmës financiare në 1 milion lekë, familjes së Dëshmorit të Atdheut, Arjan Sala, i cili humbi jetën gjatë ndërhyrjes për shpëtimin e jetëve të personave të rrezikuar nga zjarri i rënë në mjediset e tij të punës në datën 24 mars 2021.

Në vendim gjithashtu theksohet se efekti financiar i këtij vendimi do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2021.

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në familjen e “Dëshmorit të Atdheut”, Arjan Sala, i cili humbi jetën në përpjekjen heroike mes flakëve, për të shpëtuar jetën e të tjerëve.

Më herët, Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” nën drejtimin e ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi shpalli “Dëshmor i atdheut” shtetasin Arjan Fadil Sala, i cili humbi jetën në mbrojtje të kolegëve të tij gjatë rënies së zjarrit në një qendër tregtare në Tiranë.

Akti heroik i shtetasit Arjan Sala bëri që komisioni ta nderojë me statusin më të lartë, me motivacionin: “Humbur jetën në përpjekje për të shpëtuar popullsinë në raste fatkeqësie”.

Gjithashtu, Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” vendosi dhënien e shpërblimit financiar mujor rrethit familjar të dëshmorit, sipas certifikatës së gjendjes familjare në çastin e vdekjes së Dëshmorit të Atdheut, duke filluar nga data e shpalljes së vendimit.

Certifikata e Dëshmorit të Atdheut dhe simbolit “Familje e Dëshmorit të Atdheut”, iu dorëzua nga kryeministri Rama familjes së Dëshmorit të Atdheut, Arjan Fadil Sala.