Nga Ylli Pata/

Edi Rama ka 48 orë që po zhvillon fushatë në Durrës. Dje ishte në qytet, sot në Shijak e në Krujë, duke i dhënë rëndësi e prioritet kandidimit me dublim që i ka dhënë këtij qarku, përveç Vlorës, ku ka kandiduar në dy mandate.

Ka një fakt të çuditshëm që opozita, e cila ka premtuar një betejë “për jetë a vdekje” në Durrës, në fund e la bosh fushën e betejës dhe nuk denjoi të përballet me pasha të rënda në këtë qark.

U fol, madje edhe nga vetë Sali Berisha që lideri i opozitës, Lulzim Basha, do të zgjedhë pikërisht Durrësin, kur Edi Rama deklaroi se do të garojë atje.

Edhe Monika Kryemadhi tha që do të jetë në Durrës për t’u përballur me Ramën.

Në fund, në qarkun më të rëndësishëm pas Tiranës, opozita nuk ka dërguar asnjë nga “kolonelët”, por ka preferuar “majorët”.

Njeriu më politik nga selia e PD-së është Edi Paloka, i cili në të shkuarën nuk është se ka pasur një lidhje politike me qarkun Durrës, përveç afërsisë së Mamurrasit me Krujën, pasi ka qenë në Lezhë në zgjedhjet e shkuara.

Durrësi si qark, ka tre bashki, ku bëhet beteja politike: Durrësi, Kruja dhe Shijaku.

Asnjëra prej tyre nuk është një bastion tipik, megjithëse që prej 2011-s, të treja bashkitë janë fituar nga Partia Socialiste.

Në vitin 2005, PD-ja fitoi 8 mandate nga zero të PS-së, pasi atëherë sistemi ishte mazhoritar.

Në vitin 2009, koalicioni i PD-së fitoi 7 deputetë nga 5 të PS-së, ku 1 ishte Lefter Koka për LSI-në.

Në zgjedhjet e vitit 2013, koalicioni i PS-së, bashkë me LSI-në mori vetëm 10 mijë vota më shumë se ai i PD-së.

79 mijë mori koalicioni i PS-së dhe 69 mijë ai i PD-së.

Si mandate u ndanë 6 PS, 6 PD, 1 LSI dhe një PR, që ishte Agron Duka.

Pra sërish barazim ndërmjet dy koalicioneve që përballeshin.

Zgjedhjet e vitit 2017 kanë sjellë diferencën, ku PS arriti të marrë 8 deputetë, PD-ja mori 4 e LSI 2 parlamentarë.

Si numër votash, PS-ja mori 73 mijë deputetë, PD-ja 43 mijë deputetë, ndërsa LSI u nda mirë me 23 mijë vota, por që në krye të listës ishte Lefter Koka, i cili në këto zgjedhje kandidon për PS-në.

Edhe pse analizat politike tek mediat tona janë të polarizuara e të ndarë sipas tifozllëkut politik, fakt është se e gjithë kjo peshë e rritjes së PS-së në 4 vjet, është rezultat padyshim i fitores në 3 bashkitë e qarkut, si në Durrës, Krujë e Shijak në 2015, e ku kanë rëndësi puna e vendimet e administratorëve vendorë.

PD-ja, pas humbjes së 2015-s, bojkotoi më pas edhe zgjedhjet e vitit 2019, kur në Durrës mund të kishte shanse për të synuar bashkinë, pas sulmeve e akuzave që pati atëherë ndaj Vangjush Dakos.

Rritja e Partisë Socialiste nga 60 mijë vota në 2013, në 73 mijë në 2017, pra me 13 mijë vota, nuk mund të ndodhë me “banda”, siç e akuzoi PD-ja, duke politizuar më pas përmes Adriatik Llallës edhe një përgjim që kishte zhvilluar në Durrës, siç quhet dosja 339.

Megjithatë, edhe sikur të qëndronin këto akuza, ky do të ishte rasti për opozitën që të fuqizonte me “municion” politik të rëndë qarkun e Durrësit, aq më shumë që ky qark është shtuar edhe me një deputet, çka është më e lehtë për të marrë një mandate, ngaqë është ulur numri i votave për njësi.

Mazhoranca nga ana tjetër ka dalë me peshën më të rëndë të saj; kreun e PS-së dhe kryeministrin, i cili veten e ka vënë të 8-in, duke treguar kufirin politik për të shtyrë të tjerët.

Duke marrë si shtesë një kandidat të fortë siç është Lefter Koka, i cili ka marrë vota për LSI-në që nga 2009 e që s’është ndarë asnjëherë pa 1 apo 2 mandate.

Ndërkaq, ajo që e bën Durrësin si vorbullën e debatit politik, është pikërisht tërmeti i vitit 2019 e programi i rindërtimit, si dhe projekti i madh i portit Turistik.

PD-ja, të dy aspektet e këtij plani i ka kundërshtuar, por që realisht zbrazja e fushës së betejës, tregon se nuk e ka parë të udhës “luftën” frontale.

Ndoshta ka zgjedhur “njësitet guerile” si adoleshentët e LSI-së pak kohë më parë në rrugicat e Bllokut në Tiranë… (TemA)