Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj foli sot për planin ekonomik të Partisë Socialiste, i cili sipas tij, mbështetet në shtylla reale dhe jo në përralla si pseudoplani i opozitës. I ftuar në një studio televizive, Ahmetaj tha se “sot shqiptarët paguajnë zero tatim mbi fitimin për pagat 300 mijë lekë, ndërsa në 1 janar 2022 kjo dysheme shkon te 400 mijë lekë të vjetra. Në këtë mënyrë, tha Ahmetaj, “numri i të punësuarve që nuk paguajnë taksa shkon në 65.5% të gjithë të punësuarve”. “Ky është instrument social, taksimi social mbi pagat. Automatikisht të gjitha shtresave sipër për shkak të progresivitetit u ulet ngarkesa fiskale. Vetëm një me pagë 10 milionë lekë të vjetra në muaj paguan 20%. Ky është revolucion në aspektin social të taksimit”, tha Ahmetaj.

Ministri sqaroi se këto masa merren tani sepse Shqipërisë që lanë ata, nuk i mbanin dot ‘këmbët’ të bënte gjithë këto. “Shqipëria që kemi sot, me gjithë problemet që ka, e mbajnë këmbët mirë tashmë se ne kemi krijuar një platformë shumë të mirë. Na mbajnë këmbët edhe pas tërmetit dhe pandemisë. Kjo është diferenca mes nesh dhe atyre që sjellin një pseudoprogram, ku falimenton Shqipëria për 1 vit e 4 muaj”, tha Ahmetaj.

Ai theksoi se taksa e sheshtë e mbështetur fuqimisht nga PD është kriminale, ndërsa taksa progresive është në favor të klasës së mesme. “Plani ynë ekonomik mbështetet në shtylla reale jo në përralla si opozita. Kjo e kombinuar me taksën 0 për biznesin e vogël ne shkojmë në 800 mijë qytetarë që paguajnë zero taksa.
Rritja e pagave minimale deri në 300 mijë lekë nuk erdhi direkt nga 220 mijë lekë dhe u bë 300, por u rrit gradualisht si pasojë rritjes së produktivitetit të ekonomisë shqiptare dhe të faktorëve ekonomik. Ne do vazhdojmë ta rrisim deri në 400 mijë lekë pagën minimale”, shtoi Ahmetaj.

Ahmetaj tha se “kjo politikë e kujdesshme e këtij kryeministri dhe kësaj maxhorance bëri të mundur të përballonim pandeminë ku dhamë paketën e solidaritetit dhe financuam rindërtimin. Për sa i përket rindërtimit, Ahmetaj tha se në pseudo planin e opozitës nuk ka asnjë fjalë për rindërtimin sa u përket atyre familjeve, janë totalisht të braktisura. Rindërtimi, tha Ahmetaj, “është një proces shembull për shkak të shpejtësisë dhe cilësisë”. “Në Konferencën e Donatorëve ne morëm 300 milionë euro grant dhe të gjitha janë të angazhuara. Rindërtimi ka 4 programe kryesore, 160 shkolla që ndërtohen me standarde Eurocod dhe janë sukses në aspektin e ofrimit të modernizimit të infrastrukturës arsimore”, tha ai.

Për sa i përket granteve të rindërtimit, Ahmetaj tha se “janë 33 mijë familje që përfitojnë kesh për rikonstruksionin. “Pallatet kanë filluar në gjithë territorin. Kemi Laçin me 524 familej, në Manzë fillon puna, në Durrës ka filluar, në Spitallë u nënshkrua kontrata me Abu Dhabi Fund. Te lagjja “5 maji” në Tiranë ka filluar puna, po ashtu në Thumanë e Fushë Krujë. Jemi duke folur për 12 mijë apartamente dhe 5 mijë njësi individuale. U fillua me 11 mijë familje në çadra dhe sot janë 600që marrin të gjithë bonus qeraje”, tha Ahmetaj.