Nga Klevis Bakillari/

Për politikën, një filozof grek do të thoshte se është ‘ushtrim i kontrollit brenda shoqërisë përmes marrjes dhe zbatimit të vendimeve kolektive’. Ndërsa Bismark do të thoshte se ‘është shkencë dhe art i qeverisjes’. Një social demokrat do e përkufizonte si ‘veprimtarinë me të cilën interesat e ndryshëm brënda njësive të caktuara shoqërore pajtohen duke u dhënë atyre një pjesë të pushtetit në proporcion me rëndësinë e tyre për mirëqenien dhe mbijetesën e të gjithë komunitetit’. Një politolog do ta përcaktonte politikën si një proçes me të cilin përcaktohet “kush merr çfarë, si dhe kur”. Për më tej, Marksi, thoshte se është “fuqia e organizuar e një klase për të shtypur një tjetër”. Feministët kanë thënë se ‘kufizimi i përkufizimit të politikës vetëm në sferën publike ngatërron dhe institucionalizon shtypjen sistematike; politika është personale’.

Politika si një veprimtari që prodhon fitoren dhe humbjen e pushtetit, është një garë me rregulla të shkruara dhe të pashkruara ku luhet për të sunduar, për të qeverisur, për të kontrolluar! Dhe politikani është ai që e luan këtë lloj gare. Garën drejt pushtetit!

Shqipëria po i afrohet zgjidhjeve. Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për ta thyer ne Prill, tranzicionin e zgjatur. Do të ishte mirë që ekranet e televizioneve të kishin ngjyrat e pranverës, të gumëzhinin me debat produktiv, t’u ngjanin bletëve dhe jo koshereve të grerëzave. Vështirë kur nuk mund të zgjedhësh debatin, më vështirë kur nuk mund të zgjedhësh as ekranin. Një tymnaje artificiale. Po kërkohet ‘rrotacioni’ por po harrohet ‘votacioni’. Rrotacioni bëhet i mundimshëm kur ingranazhet e ndryshkura të partive të vjetra, aktivizohen. Dhe në vend të lëvizjes, ato prodhojnë këtë ndotje akustike, këtë lodhje të instiktit reflektues edhe tek qytetari më i kthjellët! Tek qytetari me sjellje politike stereotipe, ato ngjallin indiferentizëm në rastin më të mirë dhe apati në rastin më të keq. Rezultatin pa rezultat e paraqet mjaftë mirë fraza e popullit të mençur ‘kur të zë rrota bishtin’. Ndërkaq, votacioni bëhet i mundshëm maksimalisht, kur ka gjithëpërfshirje e gjithëpërfaqësi.

Gara drejt pushtetit, fitohet me njerëz me integritet, që nën ombrellën politike mbajnë të ndezur zjarrin e atdhedashurisë. Si çdo garë edhe kjo kërkon lojtarë të fortë,te integruar,që reflektojnë paqen sociale dhe orientojnë mendjet tek horizontet e së ardhmes. Kjo garë kërkon patjetër aleat. Rasti i qarkut të Beratit është kampioni përfaqësues më i mirë për të kuptuar se bashkimi na afron me të nesërmen dhe përforcon idealin e shtetndërtimit. Askush më mirë se Rama, nuk mund ta kuptonte nevojën emergjente për bashkim dhe hapje për bashkëpunime progresiste. Dhe menjëherë, me afrimin e Naços,ai ka bërë që valët e LSI të shuhen pa arritur në Berat ndërsa PD t’i prishen gjurmët e pakta në këto treva. Për fat të keq, historite politike shqiptare na kanë dëshmuar të kundërtën, por kjo manovër taktike e tillë, konsensuale, që mbështetet dhe mirëpritet në masë të gjerë, patjetër që përbën një ‘pazarë pa zararë’. Kjo kandidaturë përveçëse qetëson elektoratin, ajo zbutë edhe relievet lokale politike, të cila jo rrallë herë kanë humbur qetësinë. Pra përsëri, bashkimi bënë fuqinë.