Mjekja e spitalit ‘Shefqet Ndroqi’, Silva Bala ka reaguar pas akuzave të forta bërë në adresë të spitalit nga ish-pacienti Andon Qako. Në një lidhje skype me News24, mjekja Bala hodhi poshtë akuzat e ngritura, ndërsa tha se do i drejtohen prokurorisë për të hetuar e zbardhur të vërtetën.

“Mua më vjen keq që me punën e personelit të luhet në këtë mënyrë, të sfumohet apo shkelet puna e personelit që është në detyrë 24 orë në 24. Nuk është e vërtetë që ushqimet e familjarëve nuk lejohen dhe u merret në sajë të vlerave monetare. Absolutisht jo!

Aty ka 2 personel shëndetësor, që në orare të caktuara marrin ushqimet dhe veshmbathjet që i dërgojnë në dhomat përkatëse. Kjo është të luash edhe me jetën e të sëmurëve e familjarëve, një propagandë e tillë, nuk i shërben askujt, por më shumë pacientëve.” tha Bala.

Sa i takon ushqimit që u jepet pacientëve nga spitali mjekja tha se ai hartohet me dieotologë, dhe nuk i kursehet askujt.

“Ushqimi për të sëmurët bëhet me mjekë dietologë, sasia, yndyrnat, karbohidratet, kaloria përcaktohen nga dietologë dhe ushqimi është i duhur që duhet të marrin pacientët përmban lëndët e domosdoshme për këto pacientë. Edhe nëse pacientët kanë patur kërkesë për ushqim shtesë, nuk i kursehet askujt. Të sëmurët që nuk ushqehen dot, ngrihen nga personeli shëndetësor.” u shpreh Bala, e cila solli në vëmendje edhe ditët kur ish pacienti Qako, ishte i shtruar në spital.

“Nëse nuk gaboj, ka qenë i shtruar në një nga klinikat e mia, në pavionin e tretë A, i është shërbyer, ka marrë mjekimin dhe ka dalë vetë nga spitali. Nuk do kishte dalë nga ne nëse nuk do ishte shëruar, ka ikur vetë pa pritur asnjë njeri. Në spital ka psikologe, ka shkruar edhe te ky pacientë. Është një pacient që është trajtuar, ka dalë nga sptiali me gjithë dokumentacionin e rregullt.” -përfundoi mjekja.