Një nga rrugët e Tiranës do të mbajë emrin e Jolanda Koçit, epidemiologes dhe shkencëtares shqiptare, e cila u nda nga jeta në vitin 1994, e njohur për bashkimin e vaksinës së Difteri-Tetanozit me Pertusin, çka solli trivaksinën Difteri-Tetanoz-Pertus, e certifikuar sipas standarteve botërore. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i dhuroi në shenjë simbolike djalit të shkencëtares me famë botërore tabelën me emrin e rrugës pranë ish-Fushës së Aviacionit, që kufizohet me Rr. “Artan Lenja” dhe Rr. e “Dafinave”, u shpreh se, nderimi i merituar që i bëhet sot Jolanda Koçit shërben edhe si një frymëzim për rinjtë.  “Sot, kur çështja e vaksinës, epidemive dhe shëndetit janë bërë kaq të ndjeshme për njerëzit, ishte momenti ideal për të kthyer pak kokën pas. Nëna juaj e nderuar, e cila ka qenë jo vetëm pioniere e mjekësisë dhe epidemiologjisë shqiptare, por edhe një prej historive të rralla të suksesit të një gruaje që bënte shkencë, që kishte guxim të kishte qasje nga bota, pavarësisht se Shqipëria ishte e mbyllur, është një frymëzim për brezat e rinj,” u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj veçoi faktin se qytetit i shtohet një rrugë me emrin e një gruaje të madhe. “Fakti që është një zonjë është kënaqësi e dyfishtë, sepse kur ecën nëpër qytet duket sikur vetëm burrat kanë luftuar, kanë shkruar e kanë bërë shkencë. Por, Jolanda do të frymëzojë edhe vajzat e vogla të kuptojnë se ky vend është edhe i zonjave e zonjushave,” tha ai.

Familjarët e Jolanda Koçit u shprehën mjaft të emocionuar nga ky vlerësim, ndërsa e përgëzuan kryebashkiakun Veliaj për nismën e emërtimit të rrugëve të kryeqytetit me emra ende të pavlerësuar siç duhet.

“Faleminderit për nderimin që i bëni nënës tonë! Është një kënaqësi e veçantë! Ju përgëzoj edhe për fushatën që keni ndërmarrë për t’i vënë rrugëve të Tiranës emra të njerëzve të nderuar, që kanë dhënë shumë dhe kanë kontribuar vërtet për këtë vend, siç ka kontribuar edhe nëna ime,” deklaroi Spiro Koçi.

Jolanda Koçi u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë në një moshë fare të re, e shquar si një studente brilante. Pas përfundimit të studimeve ajo punoi pranë Institutit të Higjienës dhe Epidemiologjisë, në departamentin e prodhimit të Vaksinave për Difterinë, Tetanozin e shumë të tjera. Është shkencëtarja e parë e shkollës shqiptare të mjekësisë dhe ka realizuar studime të thella në fushën e epidemiologjisë. Në 1971, pas një specializimi 3 mujor në Bukuresht të Rumanisë, ajo arriti të kombinonte vaksinën e Difteri-Tetanozit, të cilat asokohe aplikoheshin të ndara. Më pas arriti të bashkonte DT edhe me Pertusin duke sjellë një trivaksinë Difteri-Tetanoz-Pertus, të cilën e certifikoi sipas standarteve botërore. Ajo ishte e para grua shqiptare në fushën e mjekësisë profilaktike e cila nderonte vendin me pjesëmarrjet e saj në konferenca dhe forume ndërkombëtare mjekësore. Jolanda Koçi është dekoruar në vitin 2012 nga Presidenti i Republikës me medaljen “Mjeshtër i Madh”.