Neritan Sejamini dhe Blendi Çeka analizuan në emisionin “Barometri Politik” në Euronews Albania se prej rezultateve aktuale kuptohet se Partia Socialiste do të dalë parti e parë në këto zgjedhje, mirëpo pjesa nëse ajo do të mund t’i marrë apo jo 71 mandate mbetet ende e diskutueshme.

Sejamini tha se “qëllimi i opozitës për këto zgjedhje duhet të jetë që të mos lërë që PS të shkojë në nivelet e 45%, apo më shumë, të votave në zgjedhjet e 25 prillit”. Sipas tij me një nivel të tillë përqindjeje sistemi elektoral favorizon PS-në dhe ajo mund të marrë shumicën parlamentare për të qeverisur e vetme.

Në analizën e tij Sejamini tha se “beteja zgjedhore do të zhvillohet më së shumti në Tiranë dhe Durrës ku përqindja e votave është më e drejtpërdrejtë”. Ai theksoi se PD duhet të punojë më shumë për të bindur të pavendosurit, të cilët mund të përmbysin situatën dhe të mos i japin PS-së shumicën në parlament.

Blendi Çeka shërbeu një analizë më të detajuar te kjo pjesë duke përmendur të paktën 4 faktorë vendimtar që, nëse kombinohen bashkë, mund të bëjnë që PS-ja të marrë mbi 45% të votave në zgjedhje:

Nëse të gjitha partitë e reja marrin maksimumi (në total) 3-4% të votave dhe asnjëra prej tyre nuk fiton mandate; Nëse koalicionet e PD-së dhe LSI-së marrin kosto nga formula dhe i humbasin vota njëra-tjetrës;
Nëse pjesëmarrja nuk shkon më shumë se viti 2017 – rreth 1.6 milionë pjesëmarrës;
Nëse interpreton pa gabime listat e kandidatëve; “Duket sikur ka bërë 90% të punës, por i mungon 10%, por kam përshtypjen se 100 metrat e fundit nuk i ka të lehta,” – tha Çeka, i cili ishte i mendimit se PS mund të ndihmohet në katër forma.

Për sa i përket PD-së, Çeka tha se ka një hapësirë për mobilizim të ish-votuesve të saj tradicional. Mobilizimi për të thithur votat e humbura të vitit 2017 sipas Çekës “mund të bëjë që ajo të shkojë deri në 40%, me prirjen për t’iu afruar vitit 2013”. Kjo sipas tij mund t’i prishë punë PS-së në synimin për të marrë shumicën e mandateve.