Në ditët e fundit, Interi e ka parë veten në telashe serioze. Një shpërthim i vërtetë i Covid-19 në radhët e zikaltërve, vërtetuar nga pozitiviteti i D’Ambrosio, Handanovic, De Vrij dhe Vecino. Kjo situatë kaq delikate bëri që Ats e Milanos të bllokonte të gjitha aktivitetet për katër ditë. Për pasojë, edhe ndeshja kundër Sassuolo, e planifikuar për sonte, u shty për një datë të mëvonshme.

Shpresa tek Interi është padyshim që infeksioni të pengohet përmes izolimit disa ditor, por, siç raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, ekziston edhe një çështje tjetër për t’u adresuar: ajo e ekipeve kombëtare.

Barella, Bastoni, Sensi, Lukaku, Brozovic, Perisic, Erikssen, Hakimi, Kolarov dhe Skriniar janë zikaltrit që duhet t’iu përgjigjur thirrjeve të kombëtareve të tyre përkatëse. Të gjitha federatat e interesuara tashmë kanë filluar presionet, në mënyrë që t’i kenë lojtarët në dispozicion për kualifikueset e marsit.

Asnjë ekip kombëtar nuk do të dëshironte të hiqte dorë nga elementë të kësaj vlere. Në këtë pikë, sipas të gjitha gjasave, dy ditët e ardhshme do të jenë vendimtare. Në fakt, duhet kuptuar nëse autoriteti lokal shëndetësor Ats do të japë apo jo dritën jeshile për daljen e lojtarëve nga izolimi. Në këtë moment, sipas njoftimit për shtyp të Ats, zikaltrit janë të detyruar të qëndrojnë në Milano deri më 31 mars.

Interi duhet të kthehet në punë, duke mos llogaritur të papriturat, të hënën dhe, duke pasur parasysh situatën, do të ishte më se i lumtur që t’i mbante të gjithë lojtarët. Kjo do t’i lejonte ata të stërviten si një grup për dy javët e ardhshme.

Tani rezultatet e tamponëve të kryer të premten priten me padurim, ndërsa rezultatet e testeve të së dielës do të njihen të hënën. Federatat e ndryshme po presin gjithashtu lajme, sepse përgjigjet e testeve do të tregojnë se sa larg mund të shkojnë me kërkesat e tyre.

Ats do të duhet të vendosë të hënën për çdo zgjatje të izolimit të zikaltërve. Në çdo rast, autoriteti shëndetësor do të duhet të vlerësojë garancitë e ofruara nga federatat e ndryshme. Lojtarët që do të lejohen të shkojnë në kombëtaret e tyre duhet të lëvizin me mjete private dhe të mbajnë një izolim të ngjashëm me atë tek Interi.