Shqipëria është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për përballjen e nesërme ndaj Anglisë. Në konferencë për shtyp te kuqezinjtë së bashku me trajnerin Reja, ishte edhe kapiteni i skuadrës Etrit Berisha. Portieri theksoi se pavarësisht mungesës së Kumbullës, ai që do ta zëvendësojë do të bëjë një punë të mirë. Ndër të tjera, gardiani shtoi se më shumë presion ka kur ndeshesh me kundërshtarë që janë rivalë të drejtpërdrejtë, ndërsa kjo me Anglinë konsiderohet si sfidë e veçantë.

Si është që do të përballesh me disa nga lojtarët më të mirë në botë dhe nuk është as Kumbulla? “Anglia është shumë e fortë dhe nëse sheh lojtarët që ka, janë të gjithë lojtarë që kanë potencial për të krijuar shumë raste dhe për të fituar ndeshjet. Por, ne e dimë rëndësinë dhe do të mundohemi ta përgatisim sa më mirë. Kumbulla është në rritje dhe kemi edhe lojtarë të tjerë që mund ta bëjnë detyrën. Në këtë pikëpamje jam i sigurtë se do të bëjnë paraqitje të mirë”.

Brenda ambientit ka presion, frikë? “Të them të drejtën që Anglia është nga më të mirat në botë, mirëpo presion nuk është i lartë sa mund të jetë në ndeshje të tjera me rivalë të drejtpërdrejtë. Kjo është një ndeshje e veçantë, ne do mundohemi t’ia bëjmë të vështirë dhe të marrim diçka, nëse arrijmë një rezultat pozitiv do të rritet vetëbesimi dhe udhëtimi do të jetë më i lehtë”.

Pas Andorrës keni diskutuar me njëri-tjetrin për Anglinë? “Atë ndeshje me Andorrën e kemi ditur vështirësinë se e kemi njohur kundërshtarin dhe e rëndësishme ishte të fitonim. Kur fiton është më e lehtë dhe të sfidohet një ekip si Anglia. Kombëtarja ka pasur një kohë të gjatë që nuk luante me një ekip me kualitet si Anglia dhe motivimi është i veçantë. Do mundohemi për maksimumin dhe do na motivonte një rezultat pozitiv”.

Kujt i druhesh më shumë? “Të gjithë kanë kualitet, luajnë në liga nga më të fortat, nëse fokusohemi te një lojtar gabojmë. Me siguri Kejn dhe Sterling janë dy lojtarë të cilët kanë pasur shumë prezencë në Angli, ata janë ndër më të rrezikshmit”, u shpreh Berisha.