Është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare këngëtari i shquar shqiptar Rudolf Stambolla, i quajtur ndryshe dhe si ”mbreti i tangos”. Rudolf Stambolla ishte këngëtari romantik, i cili me zërin melodioz ishte një emër i suksesshëm në krijimtarinë muzikore që para viteve ’60. “Gjethet e vjeshtës”, “Këndo kitara ime”, “Dashuria e parë”, “Nën dritare”, “Malli i dashurisë”, etj, janë këngët që për herë të parë janë kënduar nga këngëtari Rudolf Stambolla, ndërsa për vite më pas këto këngë u sollën në skenë dhe nga të tjerë emra.

Ai është cilësuar si një nga pionerët e muzikës së lehtë në vendin tonë, ndërsa gjatë viteve ka rrëfyer se ndikimin më të madhe dhe frymëzimin e ka pasur nga muzika italiane. Pavarësisht viteve, ai tregonte në intervista se nuk ndahej dot nga kitara, e cila kishte qenë dhe instrumenti që e kishte shoqëruar përgjatë gjithë jetës së tij. Këngëtari që prej vitit 1956 ishte i angazhuar pranë radio “Tiranës”, ku qëndroi për një kohë të gjatë.