Nga Mero Baze/

Një shpresë e re ka lindur për opozitën. Dhe kjo lidhet me rikonstruksionin e maternitetit të ri, dhe rindërtimin nga e para të një shtese të tij, ndërtuar vite më parë, dhe dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëtorit 2019.

Pamje nga shtesa e prishur e Maternitetit shoqërohen me vajtime pa fund, që nga ata që kujtojnë me nostalgji që kanë lindur aty, të tjerë që kanë porositur poshtë dritareve fëmijën e tyre dhe në fund ata që betohen se do marrin hak për këtë.

Në fakt ajo që po ndodh nuk pengon askënd të kujtojë vendin ku ka lindur dhe as ku e ka pritur babai tyre lindjen, pasi godina po rikonstruktohet si çdo spital apo ndërtesë tjetër e amortizuar në Tiranë. Pas rikonstruksionit, ata e kanë më të sigurt nostalgjinë e tyre për maternitetin.

Ajo që nuk kuptohet është përse Partia Demokratike mendon se një rikonstruksion godine do ngjallë shpresë për të në Tiranë, meqë po ribëjnë një shtesë të koës sovjetike në Tiranë.

Nga pikpamja ligjore, nëse PD mendon se ka probleme tenderimi i rikonstruksionit mund ti drejtohet prokurorisë dhe jo nostalgjisë, se ajo nuk është argument. Por nëse është zakoni i tyre që ti vënë gjobë çdo biznësi që merr një tender, atëhere është në normalitetin e saj.

Nga pikpamja politike duket dhe më absurde. Për të gjithë ata që duan një maternitet të sigurt dhe komod, rikonstruksioni është lajm i mirë, jo lajm i keq. Sidomos për qytetarët e Tiranës. Tani të kesh shpresa për fitore në Tiranë nga të ardhurit në Bathore dhe të qash për rikonstruksionin e maternitetit është pak tepërim.

Zhurma të tillë janë joproduktive dhe nga ana elektorale, pasi tregon që PD është në hall për çdo votë në Tiranë dhe shpreson se mund të fitojë vota nga çdo kauzë që i del përpara në rrjete sociale.

Për më tepër që PD nuk mbahet mend të ketë vënë dorë në ndonjë spital në vend dhe me këto ankesat për çdo ndryshim në Tiranë, vetëm sa të kujtojnë kush kanë qenë. (Tema)