Nga Alba Malltezi/ Propozimi dhe përfshirja në politikëbërje, krah Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, i dy grave të shkencës së ndërtimit dhe mjeksisë, si Luljeta Bozo dhe Najada Çomo, është mesazh bashkimi dhe jo ndarje mes shqiptarësh.

Shtyllat më të rëndësishme të dy momenteve më të vështira të vendit tonë, (tërmeti dhe pandemia Covid-19) kanë marrë bekimin dhe zemrat e shqiptarëve me punën e tyre, jo me fjalë të thëna në erë.

Kostoja për dy gratë nuk do të jetë e vogël. Linçimi është i gatshëm të serviret edhe për to, por pranimi i përbaltjes më të egër që prodhohet në një vend si yni, dëshirues i demokracisë, është shërbimi më patriotik që njerëz të drejtë, të aftë, të vendosur për të përmisuar Shqipërinë, duket se janë të pakursyer ta përballojnë.

Po të kishte dëgjuar shqiptarja Nënë Terezë se çfarë thuhej për të, t’u kishte dhënë rëndësi urryesve që kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë në çdo kohë, nuk do të kishte bërë asgjë.

Ismail Kadare është sulmuar nga shqiptarët si asnjë shkrimtar i përmasave të tij në vende të tjera në botë, jo se shkeli ligje, jo se administroi keq Shqipërinë, jo se bëri një gjë që dëmtoi njeri, thjeshtë se ishte ai dhe nuk tha atë që përbaltësit dëshirojnë të dëgjojnë.

Në të vërtetë, kur shkruajmë e kur themi që shqiptarët sulmojnë shqiptarë, gabojmë. Ata të përbaltjes, dihet, e kanë një burim të identifikueshëm në një njeri dhe një frymëzim të gjatë prej tij plot 30 vite në politikë, në hapsirë dhe në kohë.

Angazhimi i Luljeta Bozos, i Najada Çomos në politikbërje, është vetëm një përgjigje se e afta, e mira, e drejta, puna, përkushtimi, barazia, respekti, ndershmëria, nuk tremben dhe se kjo është rruga që duhet të marrin edhe të rinj që duan të kontribuojnë, aty ku e gjejnë veten. Këto dy gra me kaq vlera na frymëzojnë për më të mirën tonë. Na bashkojnë.Të kundërtën, dihet kush dhe përse e thotë.