Hera e fundit që Liverpool ka fituar një ndeshje në “Anfield Road” daton më 16 dhjetor, kur “the reds” mposhtnin Tottenhamin e Jose Mourinhos me shifrat 2-1, pasi që atëherë shtëpia e skuadrës së Klopp është shndërruar në një tabu.

Plot shtatë ndeshje të zhvilluara në thuajse tre muaj, të gjitha në kampionat dhe Liverpool numëron dy barazime e më pas 5 humbje në shtëpi, duke bërë që stadiumi “Anfield Road” të mos ngjallë më frikë te kundërshtarët.

Disfata më e fundit ishte ajo e mbrëmjes së djeshme, me rezultatin minimal 0-1 ndaj Chelsea-t, rezultat ky që zhyt në krizë Liverpoolin dhe e largon me plot 4 pikë nga zona Champions, që është edhe objektivi i mbetur i “the reds” në kampionat.

Ndaj londinezëve skuadra e Klopp vuajti jo pak dhe për këtë mjafton të sjellim në vëmendje faktin që gjuajtjen e vetme në portë e bëri në minutën e 85-të me anë të brazilianit Firmino pas një aksioni të gjatë.

Megjithatë në fund të ndeshjes Jurgen Klopp pranoi momentin e vështirë që po kalon skuadra e tij dhe vuri theksin te gabimet në mbrojtje, që po u kushtojnë jo pak, ndonëse “the reds” po vuajnë jo pak edhe në finalizim.

“Bëmë dy gabime në mbrojtje dhe kundërshtari i shfrytëzoi maksimalisht të dy, por njëri prej golave u anulua për pozicion jashtë loje. Duhej të ishim rreshtuar më mirë në rastin e golit të Mount, por duhet t’i njohim meritën edhe këtij të fundit. Ndeshja ishte e luftuar dhe me intensitet, ndërsa ne bëmë gjithçka mirë deri te pasimi i fundit, që ose mungonte, ose ishte i gabuar”, deklaroi trajneri gjerman.

Sulmi i “the reds” duket se nuk po funksionon si duhet, pasi Salah me shokë kanë shënuar vetëm 4 gola në 6 ndeshjet e fundit në kampionat, ndërsa në përballjen me Chelsea-n, Klopp uli sulmuesin egjiptian në pankinë pas vetëm një ore lojë.

“Kishim nevojë për këmbë të freskëta në ato momente, pasi të tre sulmuesit titullarë kanë luajtur shumë këtë sezon. Mund të zëvendësoja këto nga sulmuesit, por në atë moment vendosa për Salah”, u shpreh Klopp.