Në pasqyrën që është duke i bërë listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit, Kryeministri Rama përmendi pikat më të forta të asaj që ai e quajti ‘skuadër e PS-së’. Rama foli për vajzat dhe gratë kandidate, garën që është e hapur për të gjithë kandidatët si dhe alternativat që ai thotë se i janë ofruar komunitetit çam.

“PS bën një dallim të qartë mes forcave të tjera, në këtë proces që është historik në shoqërinë tonë por edhe fiziologjik në vetë PS-në të ngushtimit vazhdueshëm të hendekut gjinor. Ne kemi 10 gra nga 12 përfaqësues të shoqërisë dhe partisë në vendin e parë në çdo qark. 7 prej 12 përfaqësuesve në vendin e parë janë prurje të reja, janë njerëz që vijnë me kontribute në komunitet, me kontribute shoqërore që ndajnë me ne vizionin dhe bindjet mbi shoqërinë. PS ka një skuadër që e harmonizon mirë, se e mira s’ka fund, eksperiencën me energjinë e re të shoqërisë. Një skuadër që bosht të vetin ka PS-në por muskulaturë të veten ka shoqërinë. Është bërë debat i madh mbi përmbysjen e hierarkisë në lista. Askush nuk e ka pasur parasysh që ne i kemi hapur listat. Ata që trumbetonin listat e hapura janë mbyllur komplet. Që nga i pari në Tiranë deri tek i 36 janë në garë. Numërimi i votave do të japë një pasqyrë shumë të ndryshme mes nesh dhe formacioneve të tjera pasi në skuadrën tonë të gjithë numrat do të kenë vota. Ne i kemi ofruar për shembull në Tiranë komunitetit çam një alternativë të ndershme, përballë ofertës që i bën PD, që është alarmante. Të gjithë ata që i përkasin këtij komuniteti kanë më shumë se sa një zgjedhje, jo vetëm në Tiranë por edhe në qarqet e tjera ku ka komunitet si ai çam”, tha Rama.