Kryeministri Edi Rama foli sërish në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, për vendosjen e disa socialistëve të vjetër në “vijën e zjarrit” apo edhe më poshtë. Duke u ndalur te ish-ministri Fatmir Xhafaj dhe ministri Pandeli Majko, Rama deklaroi se ata apo dhe vetë kryeministri apo figura të tjera të vjetra të PS duhet të vihen pikërisht në vijën e zjarrit, aty ku është përballja e vërtetë me kundërshtarët. “Sepse një skuadër ndërtohet mbi bazë të një analize, një skuadër nuk është një rreshtim i vlerave të krijuara nga e shkuara e deri sot. Një skuadër është një rreshtim i forcave që duhen në fushë për të përballuar këtë ndeshje dhe për këtë ne kemi një strategji të re, kemi një skuadër të re, në shumë aspekte të saj dhe kemi një qasje të rej. Kjo është shumë e thjeshtë.

Ato nuk janë etiketa, Luljeta Bozo nuk është etiketë. Luljeta Bozo është personalitet, që i flet shoqërisë, që rezonon me shoqërinë, dhe që do të përfaqësojë në Parlament drejtpërdrejt për herë të parë në historinë e Parlamentit pluralist shqiptar një kategori shumë të rëndësishme për nga numri, pesha dhe që s’ka qenë kurrë e përfaqësuar, që është kategoria e pensionistëve. Nuk është etiketë, është nder i madh për mua dhe PS që ajo e ka pranuar këtë ftesë, mund edhe të mos e pranonte. Është edhe një kompliment për mua dhe PS, që një zonjë e tillë ka besim dhe ka gatishmërinë të bëhet pjesë e kësaj skuadre. Najada Como nuk është etiketë, por personalitet, që vjen nga fronti më i vështirë i jetës së këtij viti dhe që nuk vjen për t’u bërë deputete profesioniste, por për të qenë në Kuvend zëri i bluzave të bardha, një zë që vjen nga brenda tyre. Patjetër që është në krye të skuadrës, sepse ka të gjitha meritat për të qenë aty.

Pandeli Majko është i 19 sepse ai ka 30 vjet që është në vijën e parë, ose në nivelin më të lartë të PS, dhe sigurisht që Pandeli Majko, unë, Gramoz Ruci, të tjerë, nuk mund të rrimë në majë atje dhe ta shikojmë nga lart poshtë se cfarë ndodh aty ku është objektivi, kur ne duhet të jemi tek objektivi. Aty është balli i përballjes me kundërshtarin, nuk është në majë të listës. Unë e kam shumë seriozisht kur them që neve na duhen sa më shumë njerëz, që partia t’iu ngjajë sa më shumë atyre, dhe jo njerëz që t’i ngjajnë partisë, se ndryshe partia fosilizohet dhe bëhet si ata që kemi përballë. Sali Berisha në PD ka meritat e veta, por a janë ato merita të mjaftueshme që ai të jetë akoma në listë. Ne nuk po shkojmë përpara popullit për të bërë një panair të monumenteve, statujave, vazove, që kemi në koleksionin tonë, por për të qenë në lartësinë e këtij moment dhe të viteve që vijnë përpara. Një parti që nuk bën këtë është e dënuar për të marrë goditjen mbrapsht nga populli atëherë kur nuk ka më fuqi të ringrihet. Ne nuk kemi nevojë të presim që të na marrë populli me shkelma si një forcë që nuk arrin të ripërtërihet”, deklaroi Rama.