Kryeministri Edi Rama tha se, në listat e kandidatëve për deputet të PS-së, gjithkush mund të gjejë atë që ta përfaqësojë në skuadrën tonë. Duke sjellë shembullin e Pranvera Resulaj, kandidates së PS-së për Vlorën, Rama theksoi se, “ajo i ka shërbyer në punën me përkushtim qytetarëve. Falë natyrës shumë bashkëpunuese të Pranverës, i është dhënë fund ryshfetit në administratë nga ana e sipërmarrjes”. Ndërsa për kandidatin Ilir Metaj, Kryeministri u shpreh se, “edhe për ata që janë të lënduar tashmë, me një familje të shpërbërë, tashme ne kemi Ilir Metajn e vërtetë këtu. Sepse edhe Ilir Meta i Tiranës, Metaj e ka, po thotë Meta. Ky është Ilir Metaj”.

“Pra gjithëkush mund të gjejë atë që ta përfaqësojë në skuadrën tonë, – tha Rama, ndërsa vuri në dukje se, – Natyrisht kjo është një shaka që është më shumë se gjysma e së vërtetës”. Duke u ndalur në punën e madhe që është bërë, jo vetëm për skuadrën e Vlorës, por për të gjithë skalionin e këtij formacioni që janë në territor me rrjetin e kordinatorëve, me bërthamat organizative Rama shprehu falenderime për Fate Velajn, Ed Lekën, Vilma Bellon, dhe siç tha ai, “jo për faktin e thjeshtë se janë qytetarë me botëkuptim dhe aktivistë të përkushtuar në këtë skuadër, jo vetëm që nuk kanë shprehur asnjë rrudhje buzësh, por janë përfshirë plotësisht, për të vijuar ndeshjen dhe do të jenë me ne sigurisht, pas fitores së ndeshjes”.

“Ndeshja jonë si forcë qeverisëse është në të gjitha frontet, duke filluar nga bashkia e Vlorës e duke vazhduar me të gjitha sfidat në sektorë të tjerë, sepse ne nuk mund të ndalojmë në vend, në asnjë nivel dhe do të shkojmë përpara të gjithë së bashku”, – tha Rama. “Me mbështetjen masive të qytetarëve të këtij qarku që nga Sheshi i Flamurit deri lart në Kuç, nga Kuçi e deri poshtë në Sarandë, Delvinë e Finiq. Pa harruar të gjithë Bregun, fshatrat e mrekullueshëm që kanë rilindur dhe do të vazhdojnë të mbështeten për të qenë një destinacion i shkëlqyer turistik dhe për të rritur ekonominë e tyre dhe natyrisht për të bërë të mundur qëllimin e madh të vizionit të Shqipërisë 2030, kthimin e syve të emigrantëve këtej, për të filluar të mendojnë se mund të investojnë masivisht kursimet e tyre në këto territore të mrekullueshme, në ato zona që falë veprës së madhe të shumëpritur të rrugës së Lumit të Vlorës do të hapen për njerëzit dhe sigurisht do të kërkojnë investime. Ndërkohë që në ditët në vijim do të fillojmë edhe ndërtimin e rrugës së Selenicës, rruga e shumë përfolur dhe do të vazhdojmë hap pas hapi”.

Rama bëri të ditur se, javës tjetër fillon puna për tunelin e Llogorasë.

“Janë vepra që janë folur në çdo fushatë elektorale dhe të gjitha këto janë të përfunduara, ose drejt përfundimit, ose në proces të fillimit të punimeve, pasi janë përfunduar të gjitha procedurat dhe janë gati”. Kryeministri tha se, “Vlora duhet të flasë fort më 25 prill si Vlorë. Vlonjatët, sarandiotët, minoritarët, çamët, të rinjtë dhe të rejat, lebërit, vlonjatët myzeqarë, të gjithë duhet të flasin fort si një trup i vetëm, si një forcë e bashkuar për Vlorën. Vlora nuk është e partive, Vlora është e Shqipërisë, është e Ismail Qemalit, fëmijëve tanë pa dallim dhe për fëmijët tanë pa dallim, ne jemi këtu dhe do të jemi pa diskutim zgjedhja më e mirë, pavarësisht kusureve tona që i dimë një pjesë, një pjesë që nuk e dimë, kemi aftësinë t’i dëgjojmë nga njerëzit t’i pranojmë, t’i reflektojmë në një proces ripërtëritje, përmirësimi të vazhdueshëm”.