Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen, Eduart Shalsi u shpreh se, “objektivi i Partisë Socialiste, në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, është të fitojë 19 kandidatë në Tiranë, ndonëse e shohim mundësinë edhe për 20 mandate në këtë qark”.

Gjatë një interviste televizive, Shalsi theksoi se, “kjo nuk është dëshirë por duke marrë në konsideratë se, Tirana ka parë investime të jashtëzakonshme gjatë qeverisjes socialiste”.

“Kundrejt asaj që kryetari i opozitës u provua në Tiranë, në vitet 2011- 2015 dhe ku të gjithë qytetarët e Tiranës e panë shumë qartë që ai, nuk ishte në gjendje që të bënte asgjë deri sa çdokush, sot që pyet a mbani mend ndonjë vepër në Tiranë në 2011-2015 nuk ka se ç’të thotë” u shpreh Shalsi.

Ndërkohë, vijoi ai, ka disa kauza të dështuara të opozitës, siç janë betejat qesharake të Parkut të Lojrave të Fëmijëve tek Liqeni Artificial, apo beteja e fundit e dështuar e Unazës, që përveç se shtyu investimin nuk solli asnjë dobi.

“Ndaj janë dy alternativa krejtësisht të dallueshme nga njëra-tjetra dhe qytetarët do të dinë të zgjedhin”-deklaroi Shalsi.

Ai vuri në dukje se, objektivi kryesor yni është që në zgjedhjet e 25 prillit të fitojë PS, “ndërkohë që në lista ka njerëz të avantazhuar ku mund të futem edhe unë për shkak të detyrave të mia të mëparshme, dhe ka disa disa deputetë të rinj, jo aq të njohur sa ne, të cilët PS-së po i japin impulse të reja”.

“Ne kemi qenë gjatë gjithë këtyre viteve si në fushatë, të angazhuar qoftë në investime, në premtime të realizuara shpejt. U hoq taksa për biznesin e vogël dhe të mesëm, tatimifitimi deri në 14 milionë lekë të reja dhe TVSH deri në 10 milionë lekë të reja të xhiros. Ndërsa ecuria e reformave dhe masave ka sjellë rritje të pagave. PS në vijimësi është shumë e kujdesshme dhe e matur. Fatkeqësisht kemi një kundërshtar që me premtimet e deritanishme, as nuk është reformuar dhe nuk ka kuptuar fokusin e zhvillimit”- u shpreh ministri Shalsi.

Ai tha se “goditja e rëndë e tërmetit është kthyer në një mundësi për rritje. Falë një mobilizimi që nga dita e parë që ndodhi tërmeti për t’iu ndodhur pranë të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të prekur nga kjo fatkeqësi, për të vijuar me programin e rindërtimit, fondet e mbledhura nga konfereca e donatorëve e kanë kthyer krizën e tërmetit në një mundësi të jashtëzakonshme rritjeje dhe po shohim dita-ditës si po marrin formë kantieret e ndërtimit të shkollave, pallateve, lagjeve të reja moderne dhe me standardet më të mira”.