Zgjedhjet e 25 prillit po afrojnë dhe një nga emrat më surprizues ne listën e Partisë Socialiste ishte padyshim ai i Edona Bilalit.

Përveç të tjerash, jehonën e shtoi fakti se ajo është në krye të listës dhe udhëheq ekipin e qarkut të Shkodrës, për garën drejt mandatit të tretë.

Perveç qarkut të vështirë ku kandidon, një tjetër specifikë e Edonës është mosha e saj relativisht e re dhe prejardhja e saj nga fusha e biznesit.

Në një rrëfim Edona flet për momentin kur i erdhi ftesa për tu bërë pjesë e skuadrës së PS e deri tek pritshmëritë që ajo ka në qytetin e Shkodrës sot dhe për sfidat e së ardhmes.

Në sipermarrjen që ka drejtuar duket se ka patur sukses, a do jetë e njëjta dhe në politikë? Kjo mbetet për tu parë më 25 prill e në vijim.

Intervista e plotë: Kandidimi juaj duket si një “përralle” e një realitet ideal. Pse Edi Rama të ftoi pikërisht ty? Një takim me kryeministrin dhe e para ne listën e kandidateve për deputete tëPS në Shkoder. Kaq e thjeshte?

Në fakt zgjedhja ime duhet të shikohet në një kontekst më të gjërë, jo e shkëputur si një e vetme nga listat e tjera. Njëlloj si unë, këtë herë ka dhe gra e vajza të tjeranë listat e kandidatëve që nuk kanë pasur një histori të lidhur me politikën por që janë profesionistë të dalluar në fushën e tyre. Pra janë ndërtuar lista më përfaqësuese për grupe të ndryshme shoqërore përfshirë vajzat, gratë dhe rininë, që ndoshta deri tani janë ndjerë më pak të perfaqësuar në Parlament. Pra kandidimin nuk do ta konsideroja si një akt të ‘thjeshtë’, por si rezultat i një arsyetimi për të transmetuar më fort zërin e këtyre grupeve shoqërore në Parlament nëpërmjet njerëzve që përgjithësisht deri tani kanë qënë pjesë e shoqërisë civile dhe janë të dalluar në profesionin e tyre.

Pse socialistët e Shkodrës duhet të të besojnë kur nuk ke patur asnjë ditë jetë politike brenda strukturave të saj?

Qytetarët e Shkodrës, jo vetëm socialistët duhet të gjykojnë vetë nëse dëshirojnë që besimin e tyre tia japin modelit që unë përfaqësoj. Model i cili në bazë ka vullnetin e fortë për të bërë punë të mira për Shkodrën por gjithashtu bashkëpunim me të gjithë që ndajnë të njëjtin vizion për tëpërmirësuar jetën e shkodranëve pavarsisht bindjeve të tyre politike.Pa qënë pjesë e politikës, por për shkak të punës sime, kam arritur të mbështes më shumë se 100 biznese në vit dhe shumë të rinj e të reja me dëshirën për të hapur kompanitë e tyre. Politika për mua është instrument që të jep mundësinë për të bërë shumë më shumë për qarkun e Shkodrës.

Si po shkon fushata juaj për 25 prillin? Si po punon për të maksimizuar votën e PS dhe tënden personalisht?

Fushata po shkon shumë mirë. Dëshiroj të theksoj këtu një element të cilin e vlerësoj veçanërisht: sensin e përgjegjësisë me të cilën po bën fushatë Partia Socialiste duke u kujdesur për të zbatuar kufizimet në fuqi për shkak të pandemisë. Mund të duket një klishe por shëndeti është dhe duhet të jetë gjithmonë më i rëndësishmi. Më tej, çmoj shumë mospërdorjen e gjuhës së urrjetjes. Sidomos këtë herë, mendoj që të gjithë kanditatët, pamvarësisht partive që i përkasin, duhet ta kenë dhe mision të tyrin dhënien e një mesazhi qytetarie dhe inkurajimi të shkodranëve e shqiptarëve mbas vështirësive të vitit të fundit. Sigurisht nga perspektiva e Partisë Socialiste ne bashkërendohemi për të bëre fushatë gjithëpërfshirëse për secilin prej kanditatëve që janë pjesë e listës tonë. Brenda listës është në dorë të çdo qytetari të identifikojë atë kandidat me të cilin mendon që ndan vlera të ngjashme, pra kush i afrohet më shumë modelit që qytetari mendon që do e përfaqësojë më mirë në parlament.

Çfarë vlere të shtuar beson se i keni sjellë listës socialiste në këtë garë dhe si do përkthehet kjo në mbështetje qytetare me votë?

Në fakt listat këtë herë përgjithësisht kanë sjellë risi të dukshme me prurjet e reja si një përpjekje për ti folur më shumë qytetarëve. Kryesimi i listës, përveçse përgjegjësi nga ana ime, shoqërohet dhe me një mesazh përfaqësimi për qytetarët e Shkodrës. Vlera e shtuar mendoj qëështe një perspektivë e ndryshme të të parit dhe bërit të gjërave nga ajo e politikanit tipik duke konsideruar profilin tim. Perspektivë e cila bazohet në ekspertizën që kam fituar ndër vite nga eksperienca të shumta duke punuar në role të ndryshme (kryesisht në kapacitet drejtues).

Në të njëjtën kohë, duke qënë se kam bërë punë që lidhen me industri të ndryshme kam arritur të ndërtoj një rrjet të gjerë bashkpunëtorësh të cilët janë gjithashtu një mbështetje e rëndësishme për të bërë punë te reja në të ardhmen.

Edhe më parë PS ka marrë kandidatë nga shoqeria civile, bota akademike dhe biznesi në Shkodër. Por jo të gjitha kanë rezultuar histori suksesi në politike. Pse juaja do të jete ndryshe?

Puna ime e deritanishme në shërbim të sipërmarrjeve, jo unë, është histori suksesi. Për të replikuar një punë të mirë, ka raste që shumëçka varet nga rrethanat apo faktorë të tjerë, por thelbësore është vullneti për të vazhduar për të punuar fort e politikën ta përdorësh si një mundësi të impaktosh sa më shumë jetë njerëzish. Unë e dua Shkodrën dhe mendoj që çdokush që e do vendin e tij nuk mund të bëjë ndryshe veçse të shtojë vlerë në të e rrjedhimisht puna e tij të vlerësohet.

Çfarë kauze mendon që të përfaqësosh e të zgjidhësh gjatë mandatit tuaj të parë në Parlament?

Nuk do preferoja të bëj premtime sepse nuk mendoj që dikush ka shkopin magjik të ndryshojë çdo gjë me një prekje. Mendoj që të gjithë së bashku duhet të bëjmë pjesën tonë shumë mirë për të zhvilluar dhe përmirësuar Shkodrën. Nga ana ime, përpjekjet e mia kryesore do të jenë një vazhdim llogjik por në nivel makro i punëve për të cilat unë kam dije të thelluara dhe eksperiencë. Punë të cilat do të fokusohen kryesisht në përmirësimin e klimës së biznesit, thithjen e investimeve në qark, modernizimin e infrastukturës në shërbim të të bërit biznes veçanërisht në fushën e turizmit, dhe aftësimin e të rinjve për vetpunësim.

Çfarë i mungon PS që nuk po ia del asnjëherë në këto 30 vjet që të thyeje dominimin e PD dhe të së djathtës në Shkodër?

Më shumë sesa fakt ky është një perceptim i trashëguar nga e kaluara pasi bazuar në shifrat e vitit 2017 Shkodra ka më shumë vota të majta sesa të djathta. Gjithashtu, nëse krahasojmë specifikisht PS me PD në Shkodër, hendeku i votave nga viti 2013 në vitin 2017 është zvogëluar ndjeshëm. Pra duket një tendencë që peshorja të anojë nga e majta dhe këtë herë pritshmëritë janë në favor të PS.

Sa mandate mendon se do marri PS në Shkodër këtë radhë?

Objektivi maksimal që synohet nga PS në Shkodër është 5 mandate. Mendoj që është një objektiv i arritshëm nëse Shkodra këtë herë lë mënjanë tifozllekun politik që e ka karakterizuar për shumë vite. Të votuarit përPartinë Socialiste është një mundësi që Shkodra duhet ti japë vetes që më pas ti kërkojë më shumë llogari dhe vëmendje qeverisë së ardhshme.

Ku e sheh veten në politike kur ta përfaqësosh Shkodrën në Tiranë? A do jeni ju “Jozefina Topalli” e së majtës në të ardhmen?

Unë e shoh veten në shërbim të qytetarëve e sidomos duke mbrojtur interesin e shkodranëve e shqiptarëve kudo ku të jetë nevoja, jo vetëm në Shkodër apo Tiranë. Mendoj që gjithsecili ka rrugëtim e tij si në jetë apo në profesion dhe rrugëtimet përgjithsisht janë të ndryshme. E rëndësishme është që të gjithë të kontribojmë të ndërtojmë një të ardhme më të mirëpër Shqipërinë sepse ky ështe vendi jonë. Kur them të gjithë, kam parasysh që nga punonjësi më i thjeshtë që punon për të bërë më mirë për komunitetin e vet, e deri te drejtuesit më të lartëtë shtetit që mbajnë mbi supe peshën e vendimeve më të vështira për vendin.

A do të jetë politika prioriteti i së ardhmes tënde? Apo sërisht jeta akademike dhe biznesi?

Prioriteti im i së tashmes dhe të ardhmes është të bëj punë që kanë impakt pozitiv në njerëz. Jetën akademike dhe atë të biznesit e kam bërë me shumë kënaqësi pasi kam patur bindjen që duke bërë punën time kam shtuar vlerë. E njëjta gjë vlen edhe me politikën të cilën e shikoj si mjet për të shtuar vlerë në jetën e qytetarëve të Shkodrës dhe jo vetë./Alpe News