Inter që nga 2010 ka regjistruar një epokë të vështirë dhe tashmë është rikthyer në majën e Serie A dhe është në rrugën e duhur për të mbyllur atë epokë dështimesh dhe hapur një faqe të re në historinë e klubit.

Zikaltërit duan të ndryshojnë që në themel dhe logo është një nga elementet me të cilin klubi identifikohet në të gjithë globin. Sot Interi ka prezantuar logon e re të klubit, e cila do të vendoset në fanellën e sezonit të ardhshëm.

Megjithatë tifozët do të jenë në gjendje ta shohin atë në fanellat e stërvitjes para ndeshjes. Prezantimi i logos në këtë moment të vështirë financiar për klubin është sinjal nga Suning se ata duan të vazhdojnë me financimin e klubit.

Është një logo më e thjeshtë, përmban vetëm shkronjat I dhe M, pasi nga sezoni i ardhshëm klubi do të quhet Inter Milano dhe jo Football Club Internazionale Milano, siç quhej deri më sot.