Ilir Meta ka degraduar si kurrë më parë institucionin e Presidencës, duke e njësuar me bandën e tij partiake me emrin LSI, e njohur tashmë ndërkombëtarisht si organizata më famëkeqe e korrupsionit në Ballkan. Që në korrik të vitit 2017, Shqipëria praktikisht nuk ka institucion Presidencë, por dy seli të bandës së hajdutëve, ndërmarrjes familjare të Metës dhe Monikës. Por, jo vetëm kaq. Presidenca është kthyer edhe në një llogore anti-amerikane, pjesë e frontit kundër reformës në drejtësi, qendër makthi nga veprimi i drejtësisë së re, qendër pazaresh me nënshtetësitë dhe dekoratat, shantazhi, paligjshmërie dhe degradimi. Përdhosja e Presidencës nga Ilir Meta është një peshqesh që Edi Rama u bëri shqiptarëve në vitin 2017, kur bëri Ilir Metën President, me shpresën për ta hequr qafet nga politika.

Kapja e Presidencës nga familja Meta-Monika ilustrohet edhe nga hartimi i listave të kandidatëve për deputetë. Listën e bashkëshortes Monika Kryemadhi, Meta e ka mbushur me njerëzit e tij të besuar në Presidencë dhe me personazhe që u ka varur dekorata në qafë, duke treguar edhe një herë se deri në çfarë niveli është politizuar Presidenca, e cila nuk përfaqëson më unitetin e popullit, por çatinë e LSI. Meta ka futur në listën e Monikës dy këshilltarët e tij kryesor nē Presidencë, Shemsi Prençin dhe Bahri Shaqirin, duke i kandiduar në Durrës. Në Tiranë, Ilir Meta kandidon në emër të LSI edhe Petrit Barën, të cilin e ka dekoruar vetë me titullin “Mejshtër i Madh”.

Në Durrës, Meta ka futur në listën e Monikës, drejtorin e Drejtorisë Juridike, të Sigurisë dhe Burimeve Njerëzore në Presidencë, Ramazan Topuzin. Pothuajse në çdo qark, Meta dhe Monika kanë kandiduar pjesë të stafit të Presidencës, të emëruar pasi Meta u zgjodh kryetar shteti nga Edi Rama. Nga ana tjetër, në vend të kandidatëve në Presidencë, Meta ka emëruar anëtarë të strukturave të LSI. Selia kryesore e LSI nuk është më godina në ish-Bllok, por Presidenca. Sot Presidencës i mungon vetëm flamuri i LSI. /Pamfleti