“Krenare që kam qenë pjesë e Reformës në Drejtësi “, tha sot Nënkryetarja e Kuvendit, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, e cila deklaroi se nuk do të garojë për deputete në zgjedhjet e 25 prillit. Në fjalën e saj, Hysi tha se “ishte kënaqësi që siç hyra 12 vite më parë në politikë me një ëndërr dhe dëshirë për të kontribut për të drejta e njeriut, për reformën në drejtësi dhe shumë reforma të tjera, sot bëj këtë dalje publike për të thënë se jam e nderuar dhe e respektuar se këto 12 vite në një mandat në opozitë dhe dy mandate në pushtet mundëm të bëjmë realitet një ëndërr që kemi patur të gjithë bashkë, Reformën në Drejtësi, të pronës në administratë publike, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe atë të themi luftën kundër diskriminimit”.

“Doja të sillja në vëmendje një takim shumë miqësor që kemi organizuar në zyrën tuaj, rreth asaj tavoline të bardhë për paktin kombëtar për drejtësinë, një kërkesë që ne ia drejtuam qeverisë me 10 pika dhe asnjëherë opozita e sotme nuk e pranoi për të bërë një pakt kombëtar për të gjithë. Në atë periudhë, në atë zyrë është bërë pakti dhe unë e kam gjetur në kompjuter të gjitha variantet. Një pakt i cili nga A-ja te ZH-ja, është përmbushur dhe për këtë ndihem krenare që iu bashkova PS-së, që kemi punuar bashkë që pikat e pakti të paraqitur me 24 tetor të 2012 ne i premtuam se kur të vijmë në pushtet do ta bëjmë. Dhe pikërisht në 2013 kur ju premtuat do nisim reformë në drejtësi, atëherë ka qenë për mua, por dhe për çdo juristë dhe gjithë ekipin, ka qenë nja nga nismat më të mëdha dhe më të jashtëzakonshme”, tha ajo.

Në vijim, Hysi shtoi se “kam pasur privilegjin të jem anëtarë në komisionin ad-hoc në Komisionin e Reformës në Drejtësi dhe bashkë me kolegët kemi luftuar bashkë për ta bërë këtë reformë”. “Sot jam shumë krenare që mundëm t’ja dalim sikurse parashikuam se kësaj reforme do t’i vendoseshin shumë shkopinj nën rrota dhe betejën të gjithë e kuptuam se nuk do të ishte një betejë e lehtë, por ia dolëm. Ia dolëm se kjo reformë nuk u krye nga ne deputetë e PS, por u krye falë vullneti tonë nga shumë ekspertë, 140 profesionistë ekspert nga të gjitha universitetet, punonjës të praktikës, gjyqtarë, prokurorë, noterë, avokatë, media, shoqëria civile dhe për këtë do të thoja se për mua ka qenë një universitet i dytë. Kur filloi reforma në drejtësi unë kisha 30 vite përvojë në mësimdhënie, por vite e reformës në drejtësi, më pas zbatimi i saj në mandatin e dytë qeverisës është një shkollë e vërtetë, dhe besoj se shumë pak e kanë patur këtë privilegj për të kuptuar rrugëtimin që ka bërë PS për ta iniciuar reformën, megjithëse në opozitë. I kemi dhënë mazhorancës së asaj kohë për të bërë një pakt kombëtar për drejtësinë dhe ajo nuk ka pranuar, por ne ia dolëm”, tha ajo.

Në fund, Hysi tha se “sot ndihem shumë e privilegjuar që kam qenë pjesë e kësaj reformë, që PS, struktura, ju zoti Kryeministër me keni besuar. Kam ardhur në politikë pa qenë pjesë aktive e politikës. Kryesova listën e Tiranës në 2009, dhe në tre mandate kam pas pozicione të mira në listën e PS. E dyta keni mbështetu gra dhe vajza, e treta që në skuadrën e PS-së në çdo zgjedhje kemi patur armatë të ripërtëritjes së PS-së”.