Kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti zhvilloi një takim virtual me Zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, në fokusin e të cilit ishin sfidat që ka përballë Kosova, përfshirë këtu Kosova, mes tjerash pasojat e pandemisë së koronavirusit. “Kryeministri Hoti ka falënderuar z. Palmer për bashkëpunim dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Kosovën në të gjitha etapat e shtet ndërtimit”, është thënë në njoftim. Sa i përket pandemisë, Hoti ka njoftuar të njëjtën ditë se në Kosovë do të vazhdojnë të zbatohen masat e njëjta për luftim të pandemisë së koronavirusit.

“Institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota, furnizimi me barna është stabil, ndërsa deri në fund të muajit pritet të arrijë kontingjenti i parë i prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX dhe menjëherë të fillojë vaksinimi i qytetarëve”, ka thënë Hoti.Megjithatë, qytetarët e intervistuar më 10 mars në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se duhet të blejnë pothuajse të gjitha ilaçet për familjarët e infektuar me koronavirus. Vetëm në shtatë ditët e fundit, në Kosovë janë regjistruar mbi 4.500 raste të infektimit.Nga data 11 shkurt, orë policore nuk ka në asnjë qytet të Kosovës, derisa orari i punës së operatorëve ekonomikë është nga ora 05:00 deri më 22:00.Përndryshe Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit. Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVOX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj.

Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca. Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit. Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina.