Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, vlerësoi sot dekretimin e 4 anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, nga Presidenti Ilir Meta.

“Urime për 4 gjyqtarët e rinj, të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, duke u bërë 7 gjithsej. Gjykata e Lartë tani mund të dëgjojë çështje penale, civile dhe administrative”, tha Kim.

“Falenderime Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili duhet të vazhdojë emërimet. Faleminderit edhe Presidentit të Republikës, Ilir Meta për administrimin e shpejtë të betimit. Reforma në Drejtësi po ecën përpara!”, tha Kim.

Presidenti Meta vendosi që Sokol Binaj të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë, Albana Boksi të emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë, Sandër Simoni të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë dhe Klodian Kurushi të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

Së bashku me këto 4 emërime të reja, Gjykata e Lartë nga sot bëhet me 7 anëtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së.