FSHF ka zyrtarizuar një ndeshje tjetër miqësore të kombëtares sonë kuqezi, të drejtuar nga Edy Reja. Më konkretisht, bëhet fjalë për një miqësore në muajin qershor, kur kuqezinjtë do të përballen me Republikën Çeke, më datë 8 qershor, në transfertë. Kujtojmë se në fund të këtij muaji fillon fushata kualifikuese për Botërorin 2002, ku kuqezinjtë janë në një grup me rivalë si Anglia, Polonia, San Marino dhe Andorra. Më 25 mars do të jemi mysafirë në fushën e Andorrës, pastaj do të presim “Tre Luanët” më 28 mars, në “Arena Kombëtare”.

Ja njoftimi i FSHF-së me këtë rast:
“Zyra e shtypit bën me dije se të federatat respektive kanë rënë dakord për zhvillimin e kësaj ndeshjeje në kryeqytetin çek, Pragë, ndërsa ora e nisjes dhe stadiumi mbeten të përcaktohen në javët në vijim. Kjo do të jetë ndeshja e dytë e përfaqësueses shqiptare brenda pak ditësh, teksa më 5 qershor kuqezinjtë do të sfidojnë Uellsin në ndeshjen që do të luhet në “Cardiff City Stadium” dhe do të nisë në ora 18:00. Kjo do të jetë ndeshja e parë e Shqipërisë me Republikën Çeke në histori. Në të kaluarën Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar 5 duele me Çekosllovakinë, nga të cilat 3 miqësore dhe dy ndeshje të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian.

Më 17 shtator 1950, Çekosllovakia fitonte ndaj Shqipërisë 3-0 në miqësoren e luajtur në Pragë, ndërsa më 29 nëntor 1952 Kombëtarja fitonte 3-2 ndaj çekosllovakëve në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Qemal Stafa”. Golat për tanët u shënuan nga Zihni Gjinali, Qamil Teliti dhe Skënder Jareci. Vetëm pak ditë më vonë, më 7 dhjetor 1952, Shqipëria zhvilloi një tjetër ndeshje miqësore me Çekosllovakinë, duke triumfuar sërish me rezultatin 2-1 falë golave të Zihni Gjinalit dhe Loro Boriçit.

Dy përballjet e fundit mes Shqipërisë dhe Çekosllovakisë janë zhvilluar më 1 maj 1991, ku Kombëtarja jonë u mund nga çekosllovakët me rezultatin 0-2 në Tiranë dhe e dyta më 16 tetor 1991 me Çekollsovakinë që fitoi 2-1 ndaj Shqipërisë në Olomouc. Të dyja takimet ishin të vlefshme për eliminatoret e Europianit 1992. Në vitin 1993, Çekosllovakia do të shpërbëhej për të krijuar dy shtete, Republikën Çeke dhe Sllovakinë. Qysh prej asaj kohe Shqipëria dhe Çekia nuk janë përballur me njëra-tjetrën. Kombëtarja e Çekisë drejtohet nga trajneri Jaroslav Šilhavý, ndërsa çekët aktualisht renditen në vendin e 42-të në klasifikimin e FIFA-s”.