Deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti ka treguar se arsyeja e largimit nga lista e PS në Tiranë për të qenë e dyta në atë të Korçës lidhet me origjinën e saj.

Gjatë intervistës Gjylameti gjithashtu sqaroi se pozicioni i kandidimit në listë nuk ka të bëjë me arsyen e lëvizjes. E pyetur lidhur me renditjen jo në krye të listave të Pandeli Majkos dhe Fatmir Xhafajt, deputetja tha se kjo ka të bëjë me strategjinë e PS për të qenë në kufi në mënyrë që të maksimizohet fitorja dhe për t’i dhënë edhe më shumë mundësi të rinjve.

Gjylameti, ishte surprizë largimi juaj nga Tirana për të qenë e dyta në listën e Korçës. Zona juaj është Pogradeci. Pse kjo lëvizje?

Kjo ka të bëjë shumë më tepër se sa me pozicionimin e kandidimit të anëtarëve të skuadrës socialiste. Lëvizja ime ka të bëjë me origjinën time, pasi prindërit e mi janë nga Mokra e Pogradecit.

Në pikëpyetje janë dy emra të tjerë socialistë, Pandeli Majko dhe Fatmir Xhafaj. Si e shihni renditjen e tyre?

Pothuajse në të gjithë Shqipërinë ka pasur një strategji të tillë për të qenë në kufi, për të maksimalizuar fitoren, por edhe për t’i dhënë më shumë mundësi të rinjve. Në çdo qark ne do të arrijmë maksimumin dhe do të kemi minimalisht 74 mandate në parlamentin e ardhshëm për të vijuar me elementë të tjerë që janë pjesë e programit të PS. Por më shumë ka të bëjë me vizionin tonë për 2030-ën.

Gjylameti, çfarë do marrë Pogradeci në këtë mandat të tretë nëse fitoni, që nuk ia keni ofruar deri më tani?

Besoj që gjithkush që ka pasur mundësinë për të ardhur në Pogradec ka pasur mundësinë të shohë mrekullinë që na ka falur natyra, por edhe invesimet në infrastruktura të ndryshme dhe të gjitha ato që kemi bërë në partneritet me biznesin dhe rritjen e punësimit. Ajo që do të vijojë në mandatin e tretë ka të bëjë me projekte të rëndësishme që do ta rikthejnë Pogradecin në një pikë referimi.

Do të duhet të vijojmë më tutje për të lidhur qytetin me malësinë e Pogradecit që mund të bëjnë të mundur zhvillimin e bizneseve që mbështesin turizmin. Do të punojmë edhe lidhur me sfidën e uljes së papunësisë. Ajo çfarë kemi bërë në mandatin e dytë është që kemi pasur një vëmendje të shtuar në pjesën makro, në mbështetje të bujqësisë dhe ekonomisë lokale.