Ish kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi Fatmir Xhafaj ka folur mbrëmjen e sotme lidhur me implementimin e reformës në drejtësi.

I ashtëquajturi “arkitekt” i sistemit të ri të drejtësisë, ai nënvizon se reforma ka qenë dhe mbetet qëllimi i jetës së tij.
“Pasi u largova si ministër i Brendshëm, kisha nevojë për reflektim dhe kisha nevojë që të rikuperoj shumë marrëdhënie të mia familjare. Kam pasur një agjendë të ngjeshur, teksa punoja edhe 12 orë në ditë, andaj kisha nevojë që të gëzoj më shumë në familje. Kjo periudhë ishte intensive për njerëzit. Ndërkohë, ndodhi tërmeti dhe pandemia ku më është dashur të merrem personalisht në zonën time elektorale.
Ndërkohë, jam shprehur edhe gjatë kësaj kohe, kryesisht për çështje të lidhura me reformën në drejtësi e cila është qëllimi i jetës sime. Nuk bëj pjesë te ata politikanë, që në mëngjes të thonë vëlla, pasdite të thonë kriminel dhe më pas të thonë më fal vëlla që të thashë kriminel. Politika konfliktuale nuk i shërben askujt. Kjo është garë për forcën tonë politike, por edhe për ne”, u shpreh Xhafaj i cili siguroi se betejën për reformën në drejtësi do ta çojë deri në fund pavarësisht kostove që ka marrë.