Mohamed Salah nuk pranon ta lidhë të ardhmen e tij me Liverpool, duke thënë se një lëvizje e mundshme diku tjetër, ndoshta që këtë verë, “nuk varet nga unë”. 29-vjeçari, megjithëse është ende produktiv përpara rrjetës kundërshtare, ka duruar pjesën më të vështirë të tij me “Reds”, pasi klubi ka rënë në vendin e shtatë të Premier League. Frustrimi i perceptuar nga kjo rënie ka çuar në spekulime për largim të mundshëm nga “Anfield”.

Salah disa herë është shfaqur në kundërshtim me Jurgen Klopp, së fundi duke treguar përbuzje për zëvendësimin ndaj Chelsea, tri javë më parë. Egjiptiani, i cili ka shënuar 17 gola në kampionat këtë sezon, e përshkroi marrëdhënien e tij me trajnerin si profesionale:“Nuk më takon mua të them nëse do të qëndroj. Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë, por preferoj të mos flas për këtë tani. Marrëdhënia ime me Klopp është normale, midis dy profesionistëve. Kështu do ta përshkruaja”. Afër fundit të intervistës për “Marca”, Salah e la derën hapur për një lëvizje të mundshme drejt Spanjës, megjithatë nuk sugjeroi se një gjë e tillë do të ishte e afërt: “Shpresoj të jem në gjendje të luaj për shumë vite të tjera. Pse jo, një ditë të jem pjesë e La Liga-s? Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, kështu që… Mbase një ditë do të luaj në Spanjë”.