Bashkë me Myrto Uzunin janë siguria e golave në kombëtaren kuqezi. Në klubet e tyre e kanë bërë më së miri këtë gjë, rregullisht, ndaj me të drejtë trajneri Edy Reja i ka sytë nga Cikalleshi dhe Uzuni. I pari ka dalë sot në konferencë për shtyp, duke bërë një prognozë të tri sfidave të këtij muaji. Ndër të tjera, në fjalën e tij kavajasi tha: “Objektivi ynë i radhës është ta nisim me këmbën e mbarë, si në aspektin personal, edhe të ekipit. Mbi të gjitha duhet të marrim një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë. Andorra është një kundërshtar që duhet të vlerësohet shumë. Është një ekip më i dobët se ne, por nga historia kemi pasur shumë situata vështirësie me të tillë rivalë. Jemi të fokusuar për të marrë fitoren. Objektivi në grupin kualifikues? Ne do të synojmë maksimumin, por duke parë Anglinë, ajo që na mbetet është që të japim gjithçka në fushë, ndeshje pas ndeshjeje.

Nëse kualiteti i Anglisë vendos ndeshjen, ne na mbetet vetëm të provojmë. Gjithsesi, duke vënë shpirtin në themel të lojës sonë, mund të arrijmë diçka pozitive. Kjo kombëtare është shumë e mirë. Lojtarët po luajnë me ekipet e tyre. Kampionatet respektive janë shumë të ngjeshura, por nuk e ndiejmë veten të lodhur. Andorra? Nëse e nënvlerësojmë, atëherë do të bënim gabim të madh. Nuk do të futemi në fushë për të shënuar Cikalleshi apo dikush tjetër, por të fitojmë ndeshjen. Jemi përballë një sfide, që duhet përgatitur me kujdes, pa asnjë nënvlerësim.

Besoj se jemi gati për ta përballuar me sukses. Çdo hap përpara, që mund të bëjmë, duhet përgëzuar. Do të provojmë me gjithçka për 2 vendet e para në grup, por edhe po të lëmë pas Hungarinë do të jetë hap i rëndësishëm përpara. Ajo që dua unë, pavarësisht kundërshtarit, të shfaqim të gjitha cilësitë. Nëse e bëjmë këtë, në çdo pozicion të jemi, e kemi ndërgjegjen e qetë se kemi dhënë maksimumin. E ardhmja ime? Ndihem shumë mirë në Turqi, u bënë 6-7 vite atje. Kisha një rënie, por u riktheva në elitë. Synimet e mia janë gjithmonë më lart. Nëse më vjen ofertë nga ekipet e kampionateve të mëdha, do ta pranoja pa hezitim, por jam i lumtur me këtë që kam arritur. Disa gjëra janë me moshë, tani i kam mbushur 30 vjeç, por të ardhmes nuk i dihet”.