Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se takimi i parë midis kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të ndodhë brenda disa javësh.

“Mendoj se takimin e parë mund ta presim shumë shpejt, pa shtyrje të panevojshme. Kosova, ashtu siç jemi marrë vesh edhe me zotin Kurti, duhet të përfundojë me krijimin e institucioneve. Ka mbetur tani edhe zgjedhja e presidentit dhe përgatitja e ekipit të ri. Pas kësaj, presim që ata të jenë të gatshëm. Ai [Kurti] më ka thënë se është i gatshëm të vijë në Bruksel, për t’u takuar me presidentin Vuçiq. Vuçiq më ka thënë se është i gatshëm të vijë kurdo që të ftohet”, tha Lajçak në një intervistë për Evropën e Lirë.

Ai thotë se është inkurajuar nga vizita e fundit në Prishtinë dhe Beograd, ku, siç shprehet, ka marrë garanci se udhëheqësit janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun.

Me Kurtin në krye të delegacionit të Kosovës, Lajçak beson se ekziston një situatë e re, sepse, sipas tij, të dy bartësit e dialogut tani kanë mandat shumë të fuqishëm.

Po, kemi ekip të ri dhe kur jam takuar me zotin Kurti në Prishtinë, më ka thënë se duhet të njihet me tërë procesin, me atë që është rënë dakord dhe ky ka qenë edhe një nga qëllimet kryesore të vizitës sime. Jemi pajtuar që të takohemi edhe një herë pasi të njoftohet [me procesin], në mënyrë që të merremi vesh se si të vazhdojë procesi- tha ia. Të premten e kaluar, Këshilli Evropian ka zgjatur mandatin e Lajçakut deri në gusht të vitit 2022.​