Në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës për zgjedhjet e 25 prillit , pas Luljeta Bozos renditet shefja e spitalit infektiv, Najada Como, e cila ka zbuluar momentet më të vështira të punës së saj në spital.

Como ka rrëfyer se momenti më i vështirë për të është kur duhet të telefonojë familjarët për t’u përcjellë lajmin e keq.

“Ne shikojmë vuajtjen e atyre njerëzve brenda e shikojmë ne dhe bashkohemi me vuajtjen e tyre. Ka pasur anëtarë të familjes që kanë ndërruar jetë në spital dhe është shumë e dhimbshme që ti duhet t’i thuash që i kanë humbur. Të duket sikur je i fortë, por ndërkohë ti vrapon ta mbyllësh celularin shpejt që të mos të kapin të përlotur. Ata nuk e kuptojnë që ne e mbyllim ndonjëherë para kohe që të mos na dëgjojnë që jemi duke lotuar.

Kolegeve tona doktoresha u ka ndërruar jetë prindi brenda në spital dhe u është dashur të jenë në punë. Infermiere, staf që kanë humbur familjarë dhe duhet të jenë po në punë nesër.

Jam shumë e shkëputur në raportet familjare. E kam gjetur mirëkuptimin e bashkëshortit dhe vajzës. Ato pak orë që shkoj, dëgjojnë telefonin tim. Unë e kuptoj që jam njeri i bezdisur në familje sepse bisedat e mia janë rreth punës. Nëse do ta bësh mirë një punë është e padiskutueshme që duhet suporti i familjes”, tha Çomo.

Ndër të tjera, Como tha se akuzat që vijnë për punën e mjekëve në spital i kanë bërë më të fortë për të përballuar situatën e vështirë të shkaktuar nga Covid-19.

“Ne bashkë edhe qajmë aty brenda sepse disa gjëra mbeten midis nesh. Si ka mundësi që dikush jashtë kangjella hedh baltë. Unë e kam për të gjithë stafin që punon. Për atë ditë që ti je stërmunduar dëgjon ca lajme që janë të tmerrshme. Në fund të fundit thua unë dua të shpëtoj edhe këtë, edhe këtë, lëre atë të flasë. Fjalët na kanë bërë shumë më të fortë”, theksoi Çomo.