Nga Alfred peza

Periudha që duhej të gëlonte nga debati konkret për platformat elektorale të partive politike në zgjedhjet e 25 prillit, duket thjeshtë si një kopje e shëmtuar e të gjitha periudhave të tjera të vitit apo mandatit, kur dëgjon që debati publik dominohet vetëm nga marja me emrat e përveçëm të liderëve.

Zgjedhësit e vendosur apo ata të lëkundur, zona me ngjyrat e forta të partive apo ajo gri, nuk kanë asnjë mundësi të kuptojnë se ku ndryshon njëra nga tjetra. Në mediat tradicionale dhe ato online, në rrjetet sociale apo në studio e debateve televizive, nuk arrin të kuptosh se çfarë e dallon një parti, një koalicion apo një lider në platformat dhe vizionet e tyre për qeverisjen e katër viteve të ardhshe.

Nuk dëgjon a sheh deri tani asnjë debat për programin elektoral, as për pikat se ku ato takohen, apo mbivendosen dhe ndahen. As për diferencat e tyre teorike, ideologjike dhe filozofike. Pakkush ia bën të qartë zgjedhësve se ku qëndron thelbi i identitetit të një partie të majtë nga ajo e një të djathte apo të qendrës, përmes termave dhe shembujve konkretë.

Në vend të ekspertëve më të mirë të fushës dhe të mendimit akademik, për programet ekonomike të palëve, debatojnë të njëjtët që shfaqen në ekrane çdo natë për gjithçka. Askush nuk e ka nxjerrë faturën e saktë financiare të premtimeve konkrete, për të kuptuar sesa realiste do të jetë realizimi i tyre, nëser në praktikë. Nisur nga burimet e financimit të buxhetit të ri të propozuar, e deri tek përfitimi konkret i çdo individi, familje dhe grupi shoqëror.

Vetëm përmes kësaj ekspertize që ofrohet në mënyrën më të thjeshtë dhe më lehtësisht të prekshme që është e mundur, mund ti vendosim realisht palët politike dhe skuadrat e tyre kombëtare, nën prozhektorët e votuesve. Vetëm në këtë mënyrë, palët politike në garë do ta ndjejnë realisht darën e presionit publik dhe mediatik, duke i ndihmuar që të fitojnë ose të humbin mbështetjen popullore.

Shqipëria herë për fat të mirë, e herë për fat të keq, nuk e ka ende luksin që të debatojë rreth temave si klima, terrorizmi, ekstremizmi, emigrantët, energjia e gjelbër, homofobia, vrima e ozonit, lufta për hapësirën, inteligjenca artificiale, krimi virtual, etj. Këto çështje që dominojnë fushatat elektorale në demokracitë më të mëdha të globit, nuk mund të ofrohen artificialisht apo thjeshtë për snobizëm, në audiencën shqiptare.

Na dalin dhe na teprojnë problemet që kemi, të cilat nëse trajtohen me të njëjtin profesionalizëm sa edhe në mediat më prestigjoze ndërkombëtare, me siguri që do na i kursenin shumë energji të çuara dëm duke i detyruar shqiptarët që të bëjnë doemos tifozllëk apo luftra vebrale pa fund, vetëm për emrat e përveçëm të politikanëve. Edhe kjo është e pashmangshme në të gjitha rastet, por jo deri në këtë pikë, sa të dominojë duke pushtuar gati totalisht të gjithë hapësirën tonë publike.

Duke mos debatuar për idetë, duke mos debatuar rreth ngjarjeve dhe fenomeneve, diskursi ynë publik është helmuar deri në atë pikë, sa liderët politikë detyrohen që të ndryshojnë mbi 60-70% të listave të kandidatëve të tyre për deputetë dhe për kryetarë bashkie në zgjedhjet lokale, me shpresën se kështu do të ulin sadopak dozën toksike të një klime të tillë.

Ky cikël vijon e vijon pa u ndalur, duke prodhuar në fund vetëm disa liderë të paheqshëm prej 30 vjetësh nga skena, një bërthamë që mbijeton disa mandate dhe masëm e pafundme të rishtarëve që nuk arrijnë dot kurrë të krijojnë identitetin e tyre politik. Në këtë mënyrë, sistemi i seleksionimit të aktorëve politikë nuk bëhet përmes një klime optimale, por dhunshëm dhe në mënyrë jo të natyrshme.

Megjithëse jemi në limitet e shpalljes zyrtare të listave të kandidatëve për deputetë të partive dhe koalicioneve të tyre paraelektorale, opinioni nuk është ende i qartë se çfarë do bëjë përshembull opozita nëse vjen nesër në pushtet për pandeminë. Si do ta menaxhojë ajo ndryshe nga qeveria sot këtë katastrofë shëndetësore? Po me programin e rindërtimit nga termeti çdo ndodhë? Po ekonomia jonë kombëtare, buxhetet familjare dhe biznesi, si do të ringrihen pas mbylljes së detyrueshme globale?

Këto dhe shumë çështje të tjera me rëndësi dhe interes për çdo qytetar, mund ta dominonin skenën e debatit politik, por fakteqësisht edhe në këto zgjedhje kjo nuk po ndodh. E as nuk duket që të ketë shanse të ndodhë, për aq kohë sa loja e kungulleshkave prej 30 vjetësh vijon po njësoj: Edi, po kush? Sala. Pse Sala? Po kush? Likja. Pse Likja? Po kush? Mona. Pse Mona? Po kush, Luli?!