Unë i besoj AstraZeneca-s dhe konsideroj se është shumë e rëndësishme të përshpejtohet fushata e vaksinimit, deklaroi sot presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.

“Unë i besoj AstraZeneca-s. Nesër Agjencia Europiane e Barnave (EMA) do të bëjë një deklaratë tjetër dhe jam e bindur se do të bëjë të mundur sqarimin e situatës”, deklaroi Ursula Von der Leyen.

Dje, Eric Mamer, zëdhënësi i presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen u pyet nga media britanike nëse do ta përdorte presidentja Von der Leyen vaksinën anglo-suedeze.

“Po”, u përgjigj prerë Mamer. Kryeshkencëtarja e OBSH-së, Soumya Swaminathan, gjithashtu tha se vendet këshillohen të vazhdojnë vaksinimin me vaksinat AstraZeneca. “Ne do t’i rekomandonim vendet të vazhdojnë vaksinimin me vaksinat AstraZeneca”, theksoi Swaminathan. Ajo theksoi se këto vaksina janë në përdorim prej disa muajsh dhe se 300 milionë njerëz kanë marrë të paktën një dozë.