Një vit më parë, Shqipëria mori pas shumë përpjekjesh dhe pritjeje, dritën jeshile për hapjen e negociatave, me kusht që të punonte për disa “detyrat e shtëpie” si ngritja e organeve të reja të drejtësisë dhe miratimi i reformës zgjedhore. Megjithatë, samiti i 17 prillit, ku vendet anëtare dhanë miratimin për nisjen e bisedimeve, ishte takimi i fundit ku u fol për zgjerimin dhe procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Edhe pse vendet anëtare planifikuan të mblidheshin në muajt e ardhshëm për të diskutuar mbi mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, e cila do të shënonte hapjen de fakto të bisedimeve, pandemia dhe zhvillimet e tjetra politike duket se lanë Shqipërinë jashtë agjendës së unionit. Megjithatë, pas kërkesës së nënte vendeve anëtare, negociatat me Shqipërinë duket se do të rikthehen në rendin e ditës.

Burime zyrtare i thonë Gazetës SI se Bashkimi Europian do të mbajë më 19 prill një takim të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare për të diskutuar mbi të ardhmen e rajonit dhe procesin e integrimit.

Burimet thonë se takimi, i cili është planifikuar qëllimisht pas zgjedhjeve në Bullgari, do të përqendrohet kryesisht tek gjetja e një zgjidhjeje për veton e Sofjes ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, duke i hapur kështu rrugën edhe nisjes së bisedimeve me vendin tonë.

Ky takim vjen pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri, dhe siç theksojnë burimet, ministrat e vendeve anëtare do të bëjnë një rishikim edhe të plotësimit të kushteve të vendosura ndaj vendit tonë, edhe pse Komisioni Europian ka këmbëngulur se Shqipëria i ka përmbushur detyrat.

Viti 2020 u bë i pari në historinë e BE-së që përfundoi pa asnjë konkluzion për Ballkanin Perëndimor, për shkak të pamundësisë për gjendjen e kompromisit me Bullgarinë rreth “interpretimit te historisë” nga Maqedonia e Veriut, duke bërë që rajoni të mungonte plotësisht në diskutimet në Bruksel edhe pas hyrjes së vitit 2021.

Vendimi për futjen e rajonit në agjendën e BE-së vjen pasi disa shtete anëtare i kanë kërkuar Bashkimit Europian të rikthejë vëmendjen nga rajoni.

Nëntë shtete anëtare i kanë bërë thirrje në një letër kryediplomatit europian, Joseph Borrell, që të mbahet një diskutim strategjik mbi vendet e Ballkanit Perëndimor kur ministrat e jashtëm të BE të takohen në prill.

“Ne besojmë se është koha për të hedhur një vështrim strategjik në Ballkanin Perëndimor,” shkruanin ministrat e jashtëm të Austrisë, Kroacisë, Çekisë, Gjermanisë, Greqisë, Irlandës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.

Në letrën që mban datë 5 mars, ata argumentojnë se “shumë gjëra kanë ndryshuar” që nga diskutimi i fundit për zgjerimin në gusht të vitit 2019 duke qene se “ka pasur zhvillime dinamike politike të brendshme në të gjitha vendet e rajonit”.

“Pandemia ka përkeqësuar tendencat ekzistuese, duke përfshirë implikime gjeopolitike. Aktorë të tjerë janë të gatshëm të ndërhyjnë në çështjet rajonale, shpesh në kurrizin tonë” shkruajnë nëntë ministrat e jashtëm të BE.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë luftuar për të pasur akses ndaj vaksinave kundër Covid-19 nga kompani dhe programe të shumta dhe mbeten shumë prapa 27 vendeve anëtare për të arritur imunitetin e tufës përmes vaksinimit të shpejtë dhe masiv. Ndërsa BE ka mobilizuar shumë fonde dhe mbështetje për rajonin, aktorët e tjerë ishin më efektivë në paraqitjen e mbështetjes së tyre dhe kështu minuan besueshmërinë dhe perceptimin e solidaritetit tonë,” thekson letra.

Vetoja e Bullgarisë preku gjithashtu Shqipërinë pasi anëtarët e BE e shohin pranimin e Shkupit dhe Tiranës si një proces të përbashkët. Mungesa e progresit konkret sipas ministrave që kanë nënshkruar letrën, është përgjegjësi e vendeve të Europës Perëndimore, veçanërisht Francës, opinioni publik i së cilës është tejet skeptik për zgjerimin e mëtejshëm të BE duke bërë që presidenti Macron të mos dojë të rrezikojë përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale të vitit 2022.

Ministria e jashtme e Kroacisë tha në një deklaratë të veçantë se “të kesh një qasje gjithëpërfshirëse ndaj rajonit ishte e rëndësishme për besueshmërinë e BE, si partneri i saj më i rëndësishëm”. Kritikët kanë sugjeruar prej kohësh që “diplomacia e vaksinave” e Kinës synonte të ndërtonte një afrim me Ballkanin Perëndimor në një kohë kur bashkëpunimi midis Brukselit dhe Uashingtonit ishte i dobët.

“Si BE, ne duhet t’i qasemi rajonit jo vetëm përmes lenteve të zgjerimit, por edhe përmes politikës së jashtme”, theksuan nëntë ministrat e jashtëm, duke shtuar se BE duhet të mendojë për “si t’i përgjigjet zhvillimeve të brendshme në terren dhe angazhimit më aktiv të aktorëve të tretë”.

Një diplomat i BE-së i njohur me çështjen e zgjerimit nënvizoi gjithashtu rëndësinë e një politike më aktive të BE-së në rajon.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një status të ndryshëm për sa i përket integrimit në BE, por ne duhet t’i lejojmë ata të përparojnë, të hapin negociata. Ne të gjithë e dimë se do të jetë një rrugë e gjatë por duhet të bëjmë hapa para në proces, ” tha ai për EURACTIV.

“Nëse nuk e shtyjmë këtë agjendë, ne do të lejojmë që lojtarët e tjerë të kenë një ndikim politik dhe ekonomik në rajon, gjë që sigurisht nuk është në interes të BE-së,” paralajmëroi diplomati./Gazeta Si