Hungaria, Polonia, Cekia, Turqia …..por, a duhet që edhe Shqipëria të tejkalojë gjithashtu tabunë politike dhe të vendosë si 45 vende të tjera të mbështetet te vaksinat kineze dhe ruse për të shpëtuar sa më shumë jetë?

“Unë jam i vaksinuar,” shkroi Kryeministri hungarez Viktor Orban në Facebook të Dielën. Budapesti deri më tani ka marrë 879,000 doza BioNTech / Pfizer, Moderna dhe Oxford / AstraZeneca, nën programin e shpërndarjes së Bashkimit Evropian, por ka përdorur vetëm 639,000. Vetë Orban i injoroi vaksinat perëndimore, duke ngulur në krah një shiringë të mbushur me Sinopharm, një nga produktet e ofruara nga industria farmaceutike e Pekinit. Dhe nga Kina, 550,000 doza kanë mbërritur tashmë në Hungari dhe 5 milion të tjera janë premtuar deri në maj: një furnizim mbresëlënës për një vend me 10 milion banorë.

Problemi është se vaksinat kineze nuk janë miratuar ende nga EMA (agjencia evropiane e barnave) por 3 vende të Bashkimit Evropian tashmë kanë vendosur t’i përdorin ato gjithsesi. Pas Hungarisë, Presidenti polak Andrzej Duda gjithashtu foli në telefon me Xi Jinping, duke marrë ofertën e vaksinave anti-Covid dhe perspektivën që Kina të blejë më shumë produkte bujqësore nga Varshava.

Edhe Presidenti çek, Milos Zeman i shkroi një letër homologut të tij kinez, Xi Jinping, ku i kërkon që vendi i tij të furnizohet me vaksinën kineze antiCovid-19, Sinopharm. Sipas ambasadës çeke në Pekin, Kina vendosi të “veprojë menjëherë”. Deri tani, Hungaria është i vetmi shtet i BE-së që ka filluar vaksinimin me vaksinën kineze Sinopharm. Zeman i bëri një thirrje të ngjashme edhe Rusisë, që ka zhvilluar vaksinën e saj, Sputnik V.

Midis liderëve botërorë Orban nuk është i izoluar: indoneziani Widodo, turku Erdogan, sheiku i Dubait, princi i kurorës së Bahrejnit, presidenti i Seychelles tashmë kanë bërë një vaksinim kinez. Në të vërtetë, Turqia, e konsideruar lider në sektorin mjekësor, po i jep përparësi vaksinës kineze, e cila është më e disponueshme sesa ato të prodhimit perëndimor. Vaksinat kineze janë gjithashtu në përdorim në Serbi, së bashku me Sputnik rus. Falë përdorimit masiv të vaksinave kineze, Serbia tashmë ka marrë 2.1 milion doza dhe renditet e para midis të gjitha vendeve të Ballkanit. Në vendin e dytë është Shqipëria, e cila deri më tani ka ndjekur rrugën e ngushtë të prodhimit të vaksinave vetëm perëndimore. Por, a duhet që Shqipëria të tejkalojë gjithashtu tabunë politike dhe të vendosë si 45 vende të tjera të mbështetet te vaksinat kineze dhe ruse për të shpëtuar sa më shumë jetë?

Për një listë të gjatë të vendeve më të varfëra, në fakt, rruga kineze për tek vaksina nuk është një drejtim politik, por është e vetmja e zbatueshme nga një këndvështrim praktik, duke marrë parasysh që vendet e pasura deri më tani kanë blerë nga 5.4 miliardë në 7.8 miliarda doza që shpresojmë të prodhohen në muajt e ardhshëm (shifra është nga Universiteti Amerikan Duke). Kush mendon për pjesën tjetër të botës? Diskutimi për Sputnik rus tashmë ka filluar. Tani duhet të vendoset dhe për produktet e Pekinit. Kina mburret me katër vaksina tashmë të përdorura që nga korriku, të prodhuara nga Big Pharma Sinopharm, Sinovac dhe CanSino. Efektiviteti i produkteve të tyre është vlerësuar në një shkallë të ndryshme nga vende të ndryshme (Brazil, Indonezi, Turqi): midis 50 dhe 90 përqind. Megjithatë domosdoshmëria (e shoqëruar me llogaritjet politike) ka bërë që 45 qeveri të rezervojnë rreth 500 milion doza kineze.

Qeveria e Republikës Popullore po tregon fuqinë e saj industriale: 18 linja të reja prodhimi janë aktivizuar të cilat garantojnë 2 miliardë doza për 2021 dhe 4 miliardë për 2022. Kjo është 40% e nevojave botërore. Po për qytetarët kinezë? “Që nga 28 shkurti, 52.5 milion doza janë administruar,” tha Zhong Nanshan, epidemiologu më i famshëm i vendit. Shumë pak krahasuar me afro 1.4 miliardë kinezë. Në Kinë, Covid praktikisht nuk ekziston më, dhe deri më tani dozat janë të rezervuara për kinezët që udhëtojnë jashtë vendit, policinë, ushtrinë dhe personelin mjekësor./Shqiptarja