Nga Kamela Banushi/

Askush nuk e harron votën e parë. Unë, përveç se nuk e harroj mbaj mend që nuk kam mundur ta ushtroj të drejtën time për te votuar kur isha 18 vjec, pasi nuk ishte një vit elektoral. Ama, një vit më pas isha shumë entuziaste për ushtrimin e kësaj të drejte e ndihesha aq e maturuar që do kontribuoja në përmirësimin e vendit. E nga ai moment, vazhdoj t’ju tregoj të gjithëve perceptimin personal mbi rëndësinë e votës së parë dhe patjetër edhe përtej kësaj.
Ekziston një paragjykim mes të rinjve, sidomos për ata të rinj që vendosën të besojnë alternativën progresiste, e kjo kryesisht e nxitur mes veti për të ulur vlerat e gjithësecilit që aktivizohet politiksht. Kur shkruaj ulin vlerat, i referohem vënies në dyshim të aftësive e virtyteve të kujtdo që përfshihet, se do të bëjë diçka më shumë për këtë vend, e do të lërë gjurmën e tij. E kemi ndjerë të gjithë intimidimin edhe dekurajimin edhe në grupet e afërta shoqërore, kur tregon që ti je aktiviste politike e të gjithë kanë një pamje disi të zhgënjyer në fytyrë. Ç’është e vërteta këtë pamjen e zhgënjyer në fytyrë duhet ta kem unë, ku pjesa më e madhe rrinë indiferentë, shohin në atë optikën e tyre rehatin, pa dalë nga zona e komfortit, presin që dikush të bëjë më të mirën për ta, e nëse s’u pëlqen e kanë aq të lehtë të fajësojnë të tjerët e t’ju hidhen në fyt për të gjitha gjërat që nuk shkojnë si duhet. Ndërsa unë kam zgjedhur të jem në krahun e atyre që luftojnë, që përpiqen, që kanë besim se duke punuar fort e duke dhënë secili më të mirën nga vetja, mund të arrihet shumë.
Nëse flasim për arritje e për punë, flasim edhe për të thyer komplekse e dogma që tentojnë të na lënë pas. Flitet kudo për ikjen e të rinjve, për rininë e papërfaqësuar, për mundësitë e pakta rinore, për protestën e studentëve, ku në emër të së vërtetës e problematikave që ekzistojnë shtohen gjithëfarë të pavërtetash duke hedhur baltë mbi realitetin, për bullizmin mes të rinjve të angazhuar që etiketohen shëmtuar, e për një lumë gjërash të tjera që qarkullojnë në rrjet.
E përsëri, janë të rinjtë që kanë në dorë kaq shumë. Për të thyer komplekset që na kanë shoqëruar deri tani, mënyra më e mirë është vota rinore e 25 Prillit. Është pikërisht kjo votë e nevojshme për të ndërtuar gjeneratën tonë nëpërmjet fuqisë së zgjedhjes. Negativiteti ka shumë zhurmë dhe zhurma të bën të harrosh, njeriu në përgjithësi harron shpejt. Të rinjtë duhet të harrojnë më pak, ne duhet të harrojmë më pak se vazhdimësia jonë ka nevojë të marrë dhe përvojën e historisë. Për të gjithë ata të rinj, shokë dhe jo vetëm, që në këto 8 vite kanë qenë pjesë e një angazhimi të cilin e besojnë, bashkëudhëtarë të këtij rrugëtimi politik, i them se 25 Prilli mund të na bëjë të flasim shumë.
Në këtë vit kemi reflektuar, kemi pasur sprova e sfidën më të madhe ku na është rrezikuar jeta dhe na ka humbur besimi e në cdo rast e kemi gjetur mundësinë për të qënë pranë njëri tjetrit, për të ndihmuar, për të dhënë moral, shpresë, e një dorë të gjithë atyre që kanë pasur më shumë nevojë. Kemi dëshmuar se bashkimi bën fuqinë, se s’ka as tërmet e as pandemi që nuk kalohet kur të gjithë i japin dorën njëri tjetrit e nuk janë vetëm ngjarje të tilla me një shenjë të madhe historike, por këto janë një përjetim i fortë mos harrese për të treguar se ne duhet të jemi të ndëgjegjshëm se si gjërat kanë ndryshuar për mirë.
Ndonjëherë them se çfarë kemi bërë ne që besojmë në aktivizmin tonë, cila është krenaria më e madhe. Edhe natyrshëm më vjen të them se ndoshta një nga gjërat që do të mbajnë mend më shumë brezat e rinj do të jetë që në 8 vite janë ndërtuar dhe rikonstruktuar pafund shkolla. Ne të gjithë kemi vuajtur nga kushtet e shkollave e ndërsa sot, votuesit e herës së parë, maturantët, janë në shkolla me kushte të një niveli i cili na është dukur i largët. I’u dha prioritet vetpunësimit dhe shumë prej miqve dhe të njohurve të mi, sot kanë ndërtuar një ekonomi familjare të mirë bazuar në këtë mbështetje. Po, dhe protesta e studentëve, ku një ortek i madh bullizmi u lëshua mbi forumin më të madh të vendit, si një luftë klasash. Le të mos harrojmë se protesta ishte një reflektim i akumuluar, shprehje e çdo aktivisti padallim për një kërkesë më shumë në hapësirën e tij, por të gjithë e dimë mirë se përfaqësuesit e rinisë në universitet prej më shumë se 15 vjetësh janë njerëz që vijnë nga parti politike, kurse ne nuk jemi munduar në asnjë moment t’a politizojmë universitetin. Edhe këtë nuk duhet ta harrojmë. Pastaj kemi parë që u shtuan hapësirat publike, sot shumë prej nesh kanë fatin të shfrytëzojnë hapësira publike. U shtuan bibliotekat dhe përkrah tyre cdo trotuar ka një korsi biçiklete që rend për të marrë kohën e humbur. Ndihemi dhe të përfaqësuar, mos harrojmë sot shumë prej nesh kanë marrë mundësinë për vendimarrje. Qendrat e inovacionit që janë shtuar në investime u kanë dhënë forcë komuniteteve.

Dhe për gjithë ç’është arritur, e në vijim, 25 Prilli është thirrje për një votë masive rinore e cila nuk duhet të harrojë modelet, që duhet të kujtojë pamjet me të cilat jemi rritur që ngjajnë me filmat bardhë e zi. Të mos harrojmë çfarë besojmë, çfarë kemi vendosur të përkrahim dhe se përtej gjithçkaje nuk duhet të harrojmë dhe të kthejmë kokën pas duke parë dukshëm sesa larg kemi shkuar.
Ndaj 25 Prilli është një thirrje për të votuar, pa hezituar, pa u lëkundur!