Shkalla e papunësisë për të rinjtë ka ardhur duke u ulur vitet e fundit në kuadër të politikave të ndjekura nga qeveria.

Në Shqipëri gjithnjë e më shumë nxënësit po zgjedhin shkollat profesionale, për të gjetur veten shpejt në tregun e punës.

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një pyetje ndjekësve të tij në instastory në rrjetin social Instagram, në rubrikën “100 ditë, 100 arritje” se sa është niveli i papunësisë tek të rinjtë, 20% apo 40%.

Kryeministri thekson se niveli i papunësisë tek të rinjtë është vetëm 20%, më i ulëti në rajon dhe me tendencë të qëndrueshme uljeje çdo vit.

Shqipëria ka sot numrin më të lartë të personave në tregun e punës që janë me moshë mesatare të re. Po ashtu ofron arsim profesional falas dhe të rinjtë janë të aftë që në moshën 19 vjeç të hyjnë në marrëdhënie pune.

Në buxhetin e vitit 2021 për mbështetjen e arsimit profesional janë akorduar 3.3 miliardë lekë. Në të gjithë vendin janë 35 shkolla publike të arsimit profesional dhe janë të regjistruar 27 mijë nxënës.