Çudirat në politikën shqiptare nuk kanë fund. Ndonëse shahen dhe hedhin akuza ndaj njëri tjetrit, këto deklarata i harrojnë shumë shpejt.

Një shprehje e urtë popullore thotë që “Atje ku pështjyjë, atje lëpijnë”. Sa shumë iu shkon. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë hyrë në koalicion së bashku me argumentin se do të rrëzojnë Ramën dhe qeverinë e tij të korruptuar. Gjatë katër viteve si parti opozitare, PD-LSI jo vetëm që nuk e kanë arritur qëllimin që i bëri bashkë, por kanë hedhur pas krahëve edhe akuzat që kanë bërë për njëri-tjetrin.

Sot Vasilin vijojmë ta shohim në krah të Kryemadhit, por edhe në krah të kreut të PD-së, Lulzim Basha. Duket se Vasili ose ka humbur memorjen, ose nuk e ka problem të “puthë atë që ka përshtyrë” më herët. Vasili nuk ka lënë gjë pa thënë për Lulzim Bashën, ndërkohë që edhe ai vetë është lakuar për korrupsion.

Kujtojmë se në vitin 2012, pas skandalit që Petrit Vasili, në atë kohë Ministër Shëndetësie, pas skandalit që shkaktoi me Bankën Botërore për një tender, rezultonte i përfshirë dhe në një tjetër aferë korruptive.

Por, me kalimin e kohës, këto akuza u heshtën. Sa i përket “përqamit” të tanishëm me Lulzim Bashën, po sjellim disa deklarata akuzuese të Vasilit kundrejt kreut të PD, të bëra me herët.

Në 2015, Petrit Vasili, në atë kohë, kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili, paralajmëroi publikisht hapjen e një prej skandaleve më të rënda në historinë e pluralizmit, i cili lidhej me emrin e Lulzim Bashës.

Petrit Vasili deklaroi, se çështja e vjedhjes së 230 milionë eurove me rrugën Durrës-Kukës, do të hapet shumë shpejt, pasi herën e parë Basha shpëtoi se ishte me diarre. Sipas Vasilit, dosja e aferave të Lulzim Bashës shkon deri në 1.700 faqe.

“Kërkesa e vazhdueshme dhe sigurisht qesharake e kreut të PD-së lidhur me dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, kërkesë kjo nga e cila kreu i PD-së do të bënte mirë të hiqte dorë sa më parë, për arsye se kreu i PD-së është i vetmi shqiptar që nuk mund ta bëjë një kërkesë të tillë, pasi të gjithë qytetarët e kanë në mendje se ky person është akuzuar për vjedhjen e 230 milionë dollarëve në mega aferën e rrugës Durrës-Kukës.

Akuzë e cila është aty sot e kësaj dite dhe për këtë akuzë ky person nuk e dha dorëheqjen nga pozicioni i ministrit. Me makinacione pa fund i shpëtoi gjykimit, duke vazhduar të mos jepte dorëheqjen ndërkohë që nuk pranoi që kjo çështje të gjykohej në themel për të zbardhur të vërtetën e vjedhjes së 230 milionë dollarëve.

Edhe sot e kësaj dite kreu i PD-së vazhdon të jetë i akuzuar nga organet më të larta të drejtësisë së këtij vendi, dhe si i tillë vazhdon të mbetet shembulli i politikanit më negativ për raportin e tij me ligjin. Kërkesa e tij e vazhdueshme vazhdon ta bëjë me qesharak atë dhe PD-në.”, shprehej Vasili në mars të vitit 2015.

Po në vitin 2015, Vasili foli për një luftë të brendshme në PD, duke e konsideruar Bashën si “Bruti” dhe Berishën si “Çezarin”.

“Unë kam nënvizuar një gjë të rëndësishme. Lidershipi i ri i PD-së përveç krizës morale ka edhe një amoralitet me armiqësitë brenda, me mosmirënjohjen etj. Kjo çështje ka të bëjë me zotin Berisha. Kjo goditje që i bëhet zotit Berisha, pjesë e një lufte të brendshme.

Politika është edhe e re edhe e vjetër. Kjo është një thikë që ai i fut babait të tij plak edhe të lodhur. Bruti dhe Çezari. Zoti Basha mund ta dijë se Bruti ka pasur një fat shumë të zi”,- ka deklaruar Vasili para katër viteve.

Nëse politika është prostitutë, dihet tashmë dhe emërimi i përfaqësueve të saj. Të jetë ky rasti i Petrit Vasilit, apo thjesht ai iu bindet urdhrave të eprorëve të tij?/cna.al