Për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Njësia 11 ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm, ndaj mjafton që njerëzit të shohin rreth e rrotull për të parë investimet e për të kuptuar se kush punon dhe kush zaptonte. Ai shtoi se shkolla “Ahmet Gashi” ishte komplet e zaptuar, po ashtu edhe kinemaja “Maks Velo”, të cilat u janë kthyer komunitetit të Laprakës. “Fushën e futbollit këtu në Laprakë, Luli e kishte për leje ndërtimi”, kujtoi Veliaj.

Në takimin me banorët e Laprakës, kryebashkiaku theksoi se partitë opozitare e kanë prerë në besë popullin, teksa tregoi edhe një bisedë me ish-kreun e LSI-së në Njësinë 11, Gent Arapin.

“Gent Arapi më tha: ‘Kam qenë kryetar i LSI-së në Laprakë, por jam zhgënjyer, se i lamë njerëzit në mes të rrugës, i premë në besë. Kishim një koalicion bashkëpunimi që të ecte vendi përpara, dhe çfarë bëmë? Me një fishkëllimë partia tha lëreni misionin në mes, lëreni Parlamentin, lëreni Bashkinë, lërini Njësitë Administrative, lërini Këshillat Bashkiakë’. Pyetja është: për çfarë do votosh, për PD dhe LSI, apo PDIU, që ta lënë punën përgjysmë? Kush ikën nga vendi i rojës është dezertor. Nuk kemi punë me këta tradhtarë të besimit publik”, nënvizoi Veliaj.

Ai kujtoi edhe të deleguarën e PD-së në Njësinë 11, Albana Vokshin, për të cilën tha se ka më shumë vendime kundër për shpifje se sa mandate.

“Ju kanë sjellë Albana Vokshin këtu, që ka humbur në çdo territor ku ka qenë. Mbaj mend debatet kur isha Ministër i Çështjeve Sociale. Nuk e kishin dhënë ndihmën ekonomike dhe as pagesat e aftësisë së kufizuar për 6 muaj. Tani, ajo drejton politikat sociale të falimentuara, dhe vjen kandidate në Laprakë. Ka më shumë vendime për shpifje se sa mandate si deputete. Ka gënjyer për çerdhet, kopshtet, shkollat dhe është dënuar në mënyrë sistematike nga gjykata si shpifëse me profesion”, sqaroi Veliaj.