Në mëngjes, lojtarët punuan në fushë. Ishin pothuajse të gjithë ata, që me siguri do të luajnë në formacion kundër Górnik Zabrze, në ndeshjen e radhës. Pasdite, lojtarët e tjerë të ekipit të parë dhe rezervat e klubit u shfaqën në terrenin stërvitor. Kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për të improvizuar një ndeshje brenda grupit, ku trajneri Czesław Michniewicz mund t’i shihte ta gjithë prurjet e reja në veprim.

Jasurbek Yaxshiboyev, Nazarij Rusyn dhe Ernest Muçi, për të cilët ishte seanca e parë stërvitore në klubin e ri, luajtën dy herë nga 35 minuta. Skuadra e parë e “ushtarakëve” fitoi 3-0, pas golave të lojtarëve të sipërpërmendur. Në këtë mënyrë, trajneri i kampionit polak kishte rastin për të parë ish-yllin e Superligës së Shqipërisë në kushtet e ndeshjes, për herë të parë. Dhe sulmuesi i la një përshtypje pozitive.

“Sa i përket Messit tonë, ai është gati të luajë. Muci ka lëvizshmëri, e sheh shumë mirë fushën, përpiqet të japë vertikalizime… Do të jetë një ‘suplement’ interesant për Bartek Kapustka, Luquinhas. Ne, ndoshta do të duhet ta ndryshojmë përsëri konfigurimin e lojës, në mënyrë që më krijuesit të mund të luajnë. Është turp ta mbash një djalë të tillë në stol. Ju mund ta shihni se ka aftësi të shkëlqyera. Liria, të kuptuarit e lojës, lëvizshmëria… Ai ishte kudo në ndeshjen e kontrollit, ndihmoi këdo që mundte. Jam vërtet i kënaqur me të. Midis lojtarëve të rinj që morën pjesë në lojën stërvitore, ai është më afër formës së lartë”.