Ndëshkohen me masë administrative 5.000.000 lekë secili, 2 përfaqësues të subjekteve politike në Manzë dhe Shkallnur, të cilët kanë organizuar aktivitete politike në kundërshtim me rregullat anti covid. Gjobë kanë marrë përfaqësues i partisë Demokratike Shkallnur, Arapaj Fatmir Muça dhe përfaqësues i partisë Demokratike Manëz, Agim Cani.

Njoftimi i Policisë: Vijojnë kontrollet nga Policia e Durrësit, për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Ndëshkohen me masë administrative 5.000.000 lekë secili, 2 përfaqësues të subjekteve politike në Manzë dhe Shkallnur, të cilët kanë organizuar aktivitete politike në kundërshtim me Aktin Normativ.

Ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari i një subjekti privat në Sukth, i cili lejoi zhvillimin e një aktiviteti politik në subjektin e tij. Gjithashtu, ndëshkohen me masë administrative me nga 1.000.000 lekë, pronarët e 2 subjekteve, të cilët u konstatuan duke ushtruar aktivitet pas orarit të vendosur për mbyllje. Strukturat e Policisë Durrës, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në terren për të monitoruar zbatimin e masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 5.000.000 lekë, përfaqësuesin e një subjekti politik në Manzë, shtetasin A. C., dhe përfaqësuesin e një subjekti politik në Shkallnur, Arapaj, shtetasin F. M., të cilët kanë organizuar dhe zhvilluar aktivitete politike në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, pikën 2 të nenit 3, si dhe pikën 1 të Urdhrit nr. 633, datë 17.11.2020 të MSHMS “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura.

Gjithashtu është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari i një subjekti në Sukth, shtetasi F. Ç., i cili ka lejuar zhvillimin e një aktiviteti politik në subjektin e tij, duke shkelur Aktin Normativ.

Shërbimet e Policisë, në vijim të kontrolleve në terren në subjekte që kanë vijuar ushtrimin e aktivitetit, në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos zbatuar orën policore, kanë konstatuar dhe ndëshkuar me masë administrative me nga 1.000.000 lekë:

Shtetasin E. Ç., pronar i një subjekti në lagjen nr. 17, Durrës; Shtetasin Sh. K., pronar i një subjekti në Shijak. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat anticovid, për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi, dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese, duke u kthyer burim rreziku për qytetarët.