Nga Ervin Demo
Gjatë ditëve të fundit kam dëgjuar komente dhe shqetësime për sa i përket projekteve zhvillimore me rëndësi strategjike për Beratin tonë. Është një deja vú, pasi sa herë që afrohen zgjedhjet, niveli protagonizmit i individëve të caktuar është bërë qesharak dhe aq më shumë kur subjekteve politike nuk i dalin llogaritë elektorale, tashmë godasin zhvillimin e qytetit sepse në një situatë ideale do bërtasin: “Pse s’ka zhvillim?” ?. Parkimi në qendër të qytetit është një domosdoshmëri, i cili jo vetëm nuk cënon trashëgiminë kulturore, por në fakt po bëhet për të rritur aksesin në asetet e qytetit.

Dëgjojini me kujdes operatorët turistikë çfarë shqetësimesh kanë për aksesin në qytet të turistëve, por në fakt edhe për banorët e Beratit parkimi është një domosdoshmëri. Mos të harrojmë që zona ku parkimi po zhvillohet është qendra administrative e gjithë qarkut Berat. Dalin dhe ulërasin për korrupsion ata të cilët janë mishërimi i korrupsionit financiar dhe moral pasi çdo gjë që lëviz e shohin me optikën korruptive. Është e tepërt të flas për ish kryetarin e bashkisë që është alarmuar për ritmin e zhvillimit në qytetin tonë i cili me keqqeverisjen dhe korrupsionin galopant shërben si shembulli më i mirë i modelit që këta që bërtasin dashurojnë dhe mezi presin ta instalojnë. Parkimi në qendër të qytetit është një parkim publik i financuar nga qeveria shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, procedurat e të cilit kanë qenë tejet transparente. Parkimi nuk është qiellgërvishtës që do prishë imazhin e qytetit apo rrezikojë lagjet muzeale. Sot që ne flasim, në qendër të qytetit ish-agjencia është një parkim i cili me projektin që do të fillojë së shpejti hapësira për makinat do i kthehet banorëve dhe dy objektet e kultit do të marrin hapësirën e duhur si simbol i bashkëjetesës fetare në qytetin tonë. Ne nuk kemi kohë për të humbur, Berati nuk ka kohë për të humbur, gjenerata e re kërkon që qyteti i tyre t’i japi shpresë për një të ardhme më të mirë dhe ne ia kemi borxh.

Të përdorësh qytetin tënd për të mbushur egot e sëmura për protagonizëm apo për të bërë politikë anti-zhvillimore do të thotë TË URRESH QYTETIN TËND!