Opozita e Bashkuar dhe Partia Socialiste pritet të përballen kokë më kokë në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, zbuloi sondazhi i dytë zgjedhor kombëtar i Barometrit Politik në Euronews Albania. 42.8% e personave të anketuar thanë se do të votonin për opozitën e bashkuar në zgjedhjet parlamentare, ndërsa 43.8% u përgjigjën se do të mbështesnin Partinë Socialiste.

Bazuar në votën e vitit 2017, 92 për qind e elektoratit të PS do të vazhdonin të mbështesnin partinë socialiste, ndërsa kjo shifër tek Partia Demokratike ishte disi më e lartë, 94.5%. Votuesit e pavendosur që ishin në masë 8%. Ata patën një ndarje thuajse të barabartë të mbështetjes për opozitën e bashkuar dhe PS në prirjen e votës.

Katër për qind e qytetarëve të anketuar u shprehën se nuk do ‘i drejtoheshin fare kutive të votimit. Shqiptarët iu përgjigjën gjithashtu pyetjes nëse duan të qeverisen nga një parti e vetme apo nga një koalicion partish, ku 50.4% votuan për qeveri nga një parti e vetme dhe 40.5% thanë se duan qeveri nga një koalicion partish.