Kreu i Partisë Konservatore Kujtim Gjuzi ka bërë një gafë teksa dje ka publikuar listën me kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit që do garojnë nën logon e tij. Mes emrave, ishte dhe Perika Xhuli e cila ka punuar prej vitesh në arsim. Kjo ka sjellë reagimet e shumë personave ku arkitekti Astrit Seranaj shkruan në profilin e tij se Perika ka ndërruar jetë 4 muaj më parë në 27 tetor 2020.

“Tragjikomedi! Perika XHULI kandidate për deputete në listën e Kujtim Gjuzit, në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Kujtim Gjuzi, o idiot, o maskara, o i paftyrë. Yyyttt. Jashtëqitje kombëtare. Perika Xhuli ka ndërruar jetë në 27 tetor 2020. Një pensioniste e cila kishte punuar në arsim dhe që vinte pothuaj çdo natë në sheshin e Teatrit. Ishte mbështetëse e kauzës dhe një qytetare e nderuar. I dedikuam një shkrim ku i shprehëm familjes dhe të afërme dhe miqve të saj ngushëllimet tona të sinqerta. Ishte një humbje e madhe edhe për ne dhe kauzën e Teatrit..Çfarë të thuash..tmerr” shkruan Seranaj i indinjuar” – shkruan Seranaj.

Ashtu siç shkruan arkitekti, Perika Xhuli ishte një prej të moshuarave e cila shkonte në sheshin e Teatrit Kombëtar në mbështetje të kauzës së Aleancës për Teatrin. Edhe vetë Aleanca për Teatrin i ka kushtuar në tetor një shkrim në rrjete sociale ku njoftonte ndarjen nga jeta të së moshuarës. Një ditë pas publikimit, Kujtim Gjuzi e ka fshirë emrin e Perika Xhulit nga lista e tij e publikuar në profilin e tij në Facebook.