Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, vijojnë pandërprerë inspektimet dhe monitorimet në të gjithë vendin me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, ku vetëm gjatë ditës së sotme ka kryer 424 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin. Gjatë kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor janë dhënë 33 masa me paralajmërim kryesisht për rinovim të librezës shëndetësore, të planit DDD si dhe rinovim i analizave mikrobiologjike të ujit.

Referuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 23 mostra në monitorim të produkteve ushqimore. Në zbatim të Urdhrit “Për bashkërendimin e inspektimeve për zbatimin e protokolleve të sigurisë në kuadër të Taskforcës antiCOVID-19” inspektorët e DRAKU-ve përveç monitorimeve të subjekteve, kanë këshilluar 495 qytetarë për mbajtjen e maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë monitorimit në subjekte, u krye vëzhgimi mbi përdorimin e maskave nga punonjësit, si dhe këshillimi i përfaqësuesve të subjektit për ruajtjen e distancës së sigurisë gjatë blerjeve. Na kontaktoni për çdo problematikë pasi në këtë angazhim jemi bashkëpunëtorë.