Sipas të dhënave studimore riinfektimet mund të ndodhin por në shifra të ulëta, duke iu nënshtruar të parimit të përgjithshëm që imuniteti bllokues i infeksionit bie në afatshkurtër, por imuniteti që redukton rëndesën e sëmundjes është jetëgjatë. Sipas epidemiologut Ilir Alimehmeti, është publikuar një studim madhor i ndjekjes se 43.044 personave që e kanë kaluar infeksionin dhe studiuesit e Universitetit Cornell (Katar), në bashkëpunim me kundrapalën amerikane të Universitetit Cornell (New York, SHBA) kryen një studim në shkallë kombëtare në një popullatë përfaqësuese:

Në studim janë testuar 192.984 persona për zbulimin e antitrupave anti-SARS-CoV-2 dhe 43.044 persona me serologji pozitive u ndoqën në kohë. Të dhënat treguan se ndër 314 rastet e dyshuara për reinfektimi:

– 32 raste kishin evidencë të mirë për reinfektim (Ct ≤30) – 97 raste kishin njëfarë evidence (Ct >30) – 185 raste kishin evidencë të dobët.

Sipas epidemiologut Alimehmeti, ka rëndësi të veçantë fakti që nuk mjafton një PCR (tampon) pozitiv për të qenë të sigurt për reinfektimin, por nevojiten pikërisht edhe të dhëna të tjera, ku është dhe numri i cikleve të amplifikimit.

Ndërkaq të dhënat kryesore janë:

– 1 person ndër 43.044 u reinfektua dhe shfaqi formë të rëndë të COVID-19. -2 persona ndër 43.044 u reinfektuan dhe shfaqën forma të moderuara të COVID-19. – Asnjë reinfektim nuk shfaqi formë kritike të COVID-19. – Asnjë reinfektim nuk përfundoi me vdekje. – Incidenca e reinfektimeve në varësi të muajit të ndjekjes nuk tregoi prirje për rritje gjatë 7 muajve ndjekje pas testit të antitrupave pozitive. – Madje ndodhi e kundërta, incidenca bie me kalimin e kohës.

Epidemiologu Alimehmeti shkruan se risku i reinfektimit është i rrallë: 1 ndër 1.000 për periudhën disa mujore pas testit të antitrupave pozitive. Gjithashtu, studimi ka treguar se nuk u gjet asnjë provë që personave me antitrupa t’iu dobësonte imuniteti mbrojtës me kalimin e kohës brenda 7 muajve të studimit. Ndër të tjera Alimehmeti ka shkruar se shumica e riinfektimeve janë zbuluar rastësisht dhe fatmirësisht nuk ka asnjë vdekje në këto raste.