Dy muaj para se t’u hapte dyert e burgut Genc Tafilit dhe Ilir Pajës në 2017, gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha, e njohur ndryshe edhe si ‘engjëlli mbrojtës i kriminelëve’, që arrestua dje nga SPAK në sallën e gjyqit teksa po i hapte derën e burgut të dënuarit të radhës për vrasje, kërkonte para Ilir Metës në KLD që të vlerësohej ‘shumë mirë’ si gjyqtare. Ish-kryeinspektorja pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Marsida Xhaferllari, të cilën Meta e emëroi anëtare të Gjykatës së Lartë, e kishte vlerësuar gjyqtaren Hoxha me notën ‘mirë’. Gjyqtarja nuk ishte dakord me këtë vlerësim. Ajo u paraqit në 22 shtator të 2017 në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke kërkuar vlerësim maksimal si gjyqtare. Mbledhja drejtohej nga Ilir Meta, i cili ishte edhe kryetari i KLD-së në cilësinë e Presidentit të Republikës.

Diskutimet në këtë mbledhje janë të pazakonta dhe cinike, pasi në vend që KLD-ja ta shkarkonte gjyqtaren për lirimin e nga burgu të të dënuarve me burgim të përjetshëm, diskutonte nëse gjyqtarja duhej të vlerësohej me ‘mirë’ apo ‘shumë mirë’. Si përfundim, anëtarët e KLD-së në atë kohë Artan Broci, Astrit Haxhialushi, Gjin Gjoni, Gerd Hoxha,Vangjel Kosta, Eneida Civici, Brunilda Kadi, Ridvan Hado, Petrit Çomo dhe Neritan Cena, me në krye Metën, e vlerësuan gjyqtaren Enkelejda Hoxha me ‘mirë’.

Dy muaj më pas, në nëntor 2017, Enkelejda Hoxha liroi nga burgu Genc Tafilin, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari. Hoxha e liroi Tafilin pasi kishte bërë 17 vite burg. Meta bëri një deklaratë të fortë, ku paralajmëro ndëshkimin e gjyqtares. Por, asgjë nuk ndodhi. Po në muaj nëntor 2017, gjyqtarja i hapi derën e burgut Ilir Pajës, për sjellje të mirë, pasi ishte dënuar për vrasje, rrëmbime, përdhunime, armëmbajtje pa leje etj., krime të kryera në Itali. Sërish pati reagime të forta dhe paralajmërime, por gjyqtarja vijoi avazin, duke liruar nga burgu Hukuran Billën në 2019, i dënuar me bu rg për jetë për vrasje në Angli Prel Markut. Billa më pas u vra në qershor 2019 tek Komuna e Parisit në Tiranë.

Në 2020, Enkelejda Hoxha liroi nga burgu ish-numrin dy të bandës së Durrësit, Endrit Doklen, duke i hequr burgun për jetë, me disa raporte sikur ishte sëmurë. Dje po tentonte të lironte nga burgu Saimir Petanin, i arrestuar për vrasje, por u prangos nga SPAK. Enkelejda Hoxha i kishte shpëtuar shkarkimit edhe në vitin 2014. Nasip Naço, në atë kohë ministër i Drejtësisë, i kërkoi KLD-së me në krye Bujar Nishanin, të shkarkonte gjyqtaren nga detyra, për shkelje të rënda. Enkelejda Hoxha shpëtoi me një ‘vërejtje’. KLD përfaqësonte plotësisht vullnetin e Sali Berishës. KLD-ja nuk pranonte asnjë kërkesë për shkarkim gjyqtarësh, me përjashtim të rasteve të rralla, kur gjyqtari arrestohej apo dënohej me vendim të formës së prerë.

Rrëfimi i Enkeleda Hoxhës përballë Metës në KLD “Atëherë për sa i takon kundërshtimeve të mia lidhur me vlerësimin tim për periudhën e punës vitet 2007-2009 , në paraqitjen e pretendimeve të mia nuk po ndalem tek secila prej grupeve dhe kritereve që kanë të bëjnë me aftësitë profesionale juridike dhe teknike, me aftësitë organizative dhe me ato të angazhimit profesional. Kërkoj të evidentoj disa momente për të cilat mendoj që ky vlerësim duhet të ndryshohet. Konkretisht nëse do të ndalemi tek volumi dhe ngarkesa e punës për vitet 2007-2009 në rastin konkret në vitin 2007 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë janë gjykuar gjithsej 234 çështje gjyqësore si gjyqtare nga an ime, ku hyjnë çështje civile me palë kundërshtare, pa palë, çështje penale, çështje penale të veçanta gjithashtu dhe ato të masave të sigurimit.

Kjo deri me datë 19.11.2017 periudha ku unë u shkëputa më pas me leje lindje. Më pas në vitin 2008 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë janë gjykuar gjithsej 2119 çështje nga të cilat 185 çështje nga ana ime kjo pasi nga data 1 Prill 2008 unë kam filluar punë pas periudhës së shkëputjes. Në lidhje me vitin 2009 dua të referoj që duke ju referuar analizës vjetore të gjykatës Krujë janë gjykuar nga ana ime 298 çështje.

Kjo në një total prej 2330 çështje pasi si trup gjyqësore ne kemi qen 8 gjyqtarë. Në lidhje me cënimet apo me momentet e prishjeve të vendimeve nga ana e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë dua të dokumentoj dhe të relatoj faktin se në lidhje me cënimet dhe ndryshimet e këtyre vendimeve nga ana e Gjykatës së Apelit për vitin 2007 janë ankimuar si çështje të miat gjykuar nga ana ime 29 ku 15 prej tyre janë lënë në fuqi. Për vitin 2008 janë ankimuar në total 13 çështje nga të cilat 8 vendime janë lënë në fuqi dhe në lidhje me vitin 2009 janë ankimuar 32 vendime gjyqësore nga të cilat 22 çështje janë lënë në fuqi.

Në lidhje me dorëzimin e dosjeve dhe të arsyetuara nga ana ime për sa i takon periudhës 2007-2009 nga ana ime pra bëhej dorëzimi im në sekretarinë gjyqësore kjo e evidentuar nëpërmjet inventarizimit dhe qepjes së materialeve të këtyre dosjeve. Parë në këtë aspekt dokumentimi i të dhënave marrë nga regjistrat e dorëzimit të dosjeve gjyqësore janë të dhënat e evidentuara dhe të dorëzuara pranë kancelarisë së gjykatës Krujë. Ndërsa nuk dokumentohet data e saktë e arsyetimit në pjesën më të madhe të këtyre gjykimeve. Gjithsesi dua të dokumentoj se në lidhje me dorëzimin e këtyre dosjeve unë kam patur vonesa kjo pasi edhe nga ana e palëve nuk janë paraqitur pretendime në lidhje me dorëzimin tej afatit ligjor të këtyre dosjeve.

Në lidhje me seminaret trajnuese në muajin tetor të 2008-ës kam marrë pjesë në një seminar organizuar nga Komisioni Evropian mbi çështjet e ligjit tregtar dhe familjar e dokumentuar kjo dhe e bashkëlidhur me materialin që unë kam përcjellë në ankesën time. Kjo me notën verbale nr. 127 të vitit 2008 të datës 06.10.2008. Për sa argumentova më lart në mënyrë të përmbledhur çmoj që vlerësimi im të ndryshohet dhe të vlerësohem “Shumë mirë”. -Ilir Meta: Po, atëherë propozim alternativ? ..atëherë dakord, kriteri i parë kalon “Shumë mirë”. Kriteri i dytë “Aftësitë profesionale”, propozimi është “Pranueshëm”. Kush është dakord? Kush është kundër? Atëherë vlerësimi mbetet “Pranueshëm”. I treti është për kapacitetin njerëzor dhe angazhimin profesional. Vlerësimi është “Mirë” kush është dakord? Kush është kundër? Atëherë mbetet “Mirë”. Shqiptarja.com/