Lagjja e vjetër periferike e Tiranës “5 Maji” është shndërruar në kantierin më të madh të kryeqytetit në kuadër të Programit të Rindërtimit për t’u kthyer në një qendër të re urbane për plot 11 mijë banorë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga projekti që po zbatohet në këtë kantier për ndërtimin e kompleksit të ri të apartamenteve. “MIRËMËNGJES , dhe me këtë pasqyrë të Rilindjes së “5 MAJIT” mes projektit e kantierit, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Në një sipërfaqe ndërtimore prej 580 mijë m2, po punohet për ndërtimin e 51 godinave të banimit me 350 apartamente. Në kompleksin e ri të apartamenteve cilësore nuk do të mungojë asgjë, përfshirë njësi shërbimesh tregtare, 5 institucione, 3 godina arsimore, 2 godina sociale si dhe 13 terrene sportive Po në këtë lagje do të çelë dyert edhe shkolla e famshme franceze e inovacionit “Ecole42”.