Puna e palodhur e familjes së Jahos ka ngritur një bujtinë sa tradicionale, aq edhe moderne rrethuar nga natyra magjike e Nivicës në Tepelenë. Bujtina, e mbështetur edhe nga Agjencia për Zhvillim Rural dhe Bujqësor, përveç prodhimit të bulmetit për tregun, ofron edhe mikpritje për vizitorët e zonës. Në këtë bujtinë e ndal edhe Kryeministri Rama, i cili po zhvillon një tur inspektimesh në disa projekte të rëndësishme për zonën e Tepelenës.

Mungesa e akomodimit kishte bërë që shumë turistë të huaj dhe vendas të kalonin vetëm orë në bukurinë madhështore të maleve. Por këtë boshllëk Jaho e shfrytëzoi për të ngritur bujtinën e tij, duke bërë që bashkë me natyrën vizitorët të shijojnë edhe produktet e gatimet e zonës. “Bujtina është mbështetur nga skema kombëtare e vitit 2018. Realizimi ka përfunduar në vitin 2019. Jaho e ka nisur këtë aktivitet si një baxho për shkak të nevojës që kishin blegtorët e zonës për të transportuar qumështin e për ta përpunuar dhe u duhej një pikë për ta bërë këtë gjë më afër, sepse e bënin në Gjirokastër. Me shumë mund dhe dedikim në fakt, falë dëshirës së tij për ta çuar përpara në një terren të vështirë, u ndërtua kjo bujtinë, e mbështetur edhe nga buxheti i shtetit. Janë 8 dhoma akomodimi dhe ambientet e shërbimit”, – u shpreh FridaKrifca, drejtore e AZHBR-së.

Zhvillimet e bujtinave dhe rikthimi i syve të emigrantëve nga kjo zonë e bekuar, për të investuar kursimet e tyre, do të ndihmojë në rimëkëmbjen ekonomike të saj përmes turizmit. “Këtu është një mrekulli natyre dhe këtë mrekulli do ta kthejmë patjetër në burim parash për njerëzit që jetojnë këtu. Ndërsa emigrantët që bëjnë punë të zakonshme, nëse kursimet e tyre i kthejnë dhe i investojnë në këto lloj strukturash, fitojnë këtu shumë më tepër sesa fitojnë atje. Kjo është e sigurt”, – tha Kryeministri Rama.