Policia e Shtetit ka bërë me dije se nisur nga zgjerimi i hartës së punimeve tek ish sheshi “Shqiponja”, dhe përgjatë unazës së re, punime të cilat po zhvillohen njëkohësisht në të tre lotët e projektit të ri si nën nivelin e rrugës ashtu edhe në rrugë, kanë rritur ndjeshëm ngarkesën e trafikut në të gjitha rrugët që të çojnë drejt ish sheshit “Shqiponja” si në hyrje ashtu edhe në dalje të kryeqytetit, duke vështirësuar shumë trafikun në tërësi dhe veçanërisht mjetet e emergjencave mjekësore.

Sipas njoftimit me qëllim lehtësimin e lëvizjes për të gjithë përdoruesit e rrugës, në raport me hapësirën dhe infrastrukturën rrugore në zonën e kantierit të ndërtimit, e cila ditë pas dite, ngushtohet për shkak të punimeve dhe mjeteve të punës, policia rrugore e kryeqytetit, Njofton se në ditët me ngarkesën me të madhe të trafikut, si ditën e hënë, ditën e premte dhe ditën e shtunë, qytetarët që udhëtojnë nga jugu i Shqipërisë duhet të zgjedhin si rrugë alternative drejt kryeqytetit Elbasanin, qytetarët që udhëtojnë nga veriu i Shqipërisë drejt kryeqytetit, duhet të zgjedhin si rrugë alternative Paskuqanin nëpërmjet urës së re dhe Bulevardit të ri Zogu i parë, ndërsa qytetarët që udhëtojnë drejt kryeqytetit nga Kavaja dhe Durrësi, duhet të zgjedhin si rrugë alternative rrugën interurbane dytësore Durrës-Tiranë dhe anasjelltas përmes Ndroqit.